Foto: Nga një takim i mëhershëm i Bordit për Sundimin e Ligjit

S’ka Takim të Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duket se ende nuk është sqaruar me EULEX-in për agjendën e takimeve të Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit.

KALLXO.com mëson se takimet e rregullta të parapara për muajin prill nuk janë mbajtur.

Në mars të këtij viti, EULEX-i pati njoftuar se e ka anuluar takimin e Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit si shenjë proteste për deklaratat e ministrit Kuçi rreth procesit gjyqësor ndaj grupit “Drenica”.

Gabriele Meucci, shef i EULEX-it, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Drejtësia në Kosovë” kishte sqaruar incidentin e fundit në mes EULEX-it dhe ministrit të Drejtësisë.

Meucci, duke folur rreth incidentit, pati thënë se vendimi i EULEX-it që ta anulojë takimin e Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit ishte marrë pas deklaratave të ministrit Kuçi.

Gjithashtu, Meucci pati thënë se EULEX-i pret që ministri i Drejtësisë ta sqarojë para publikut deklaratën e tij duke shfaqur shpresën që pas sqarimit do të vazhdojnë me takimet e rregullta të këtij organi.

http://kallxo.com/shefi-i-eulex-it-per-deklaratat-e-ministrit-te-drejtesise-dhe-deshmitaret-e-mbrojtur/

Ndërsa, Kuçi kishte thënë se është sqaruar dhe takimet dhe bashkëpunimi sipas tij do të vazhdojnë sikurse kanë qenë përpara.

http://kallxo.com/kuci-me-shefin-e-eulex-it-e-sqarova-keqkuptimin/

KALLXO.com mëson se Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ende nuk i ka ftuar partnerët në këtë takim.

EULEX-i për KALLXO.com ka thënë se takimi i prillit nuk është mbajtur, ndërsa as data e re nuk është caktuar ende.

“Takimi i Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit në prill u shty. Dhe duke pasur parasysh orarin e ngjeshur të pjesëmarrësve, një datë e re nuk është caktuar ende”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Lidhur me këtë takim, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ministrinë e Drejtësisë.

Ministria nuk është përgjigjur se pse nuk është mbajtur takimi i muajit prill dhe se a është caktuar ndonjë datë tjetër për mbajtjen e këtij takimi, duke thënë se EULEX-i është institucioni i cili i organizon dhe kryeson takimet.

“Bordi i Përbashkët për Sundim të Ligjit përbehet nga Shefi i EULEX-it, Përfaqësuesi Special i BE-se, Ministri i Drejtësisë, Kryesuesi i KPK-se dhe Kryesuesi i KGJK-se. Mbledhjet kryesohen dhe organizohen me rotacion nga secili Institucion. Takimi i radhës organizohet dhe kryesohet nga EULEX-i, prandaj edhe EULEX-i është institucioni i duhur për përgjigje të pyetjeve të parashtruara”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, takimi i muajit mars ishte anuluar shkaku i një interviste të dhënë nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi i cili kishte folur për rastin “Drenica” dhe EULEX-i e kishte vlerësuar si frikësim dhe ndërhyrje politike në gjyqësor.

“Mbrëmë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me meritat e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë.. EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”, thuhet në reagimin e lëshuar nga EULEX në muajin mars.

Ndërkaq, pasi kanë njoftuar se do ta shtyjnë takimin për një datë tjetër, ende nuk është caktuar kjo datë.