Të akuzuarit: Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj, seanca 09.01.2024, Foto:Jetlira Buzhala/KALLXO.com
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, shtyhet gjykimi për shkaqe familjare të gjyqtarit
Gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, nuk është mbajtur të hënën më 13.05.20245. Shkak për këtë sipas pëgjigjeve të Gjykatës së Pejës dhënë për KALLXO.com, janë disa arsye familjare të anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Leon Perlaska.
Një autobus i udhëtarëve me të cilin po udhëtonin edhe nxënës, ishte sulmuar me armë zjarri në mbrëmjen e 26.11.2021. Të vrarë kishin mbetur dy nxënës 17-vjeçarë, L. H. dhe G. M., si dhe shoferi i autobusit G. Gj. Për këtë rast po akuzohen Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj.
Edhe një seancë më 15.02.2024 nuk kishte arritur të mbahej për shkak të mungesës së gjyqtarit Leon Përlaska.
Në seancën e kaluar të datës 26.04.2024 është dëgjuar dëshmitarja Nexhmije Zhutaj e cila ka thënë para trupit gjykues se në natën kritike teksa ishte me fëmijët dhe burrin e saj me makinë, e kishte parë një person të fshehur në rrugë i veshur me pallto të gjatë dhe të zezë.
“Unë kam qenë ulur përpara, fëmijët kanë qenë mbrapa. Dhe kur kemi shkuar te rruga e shkollës në Shaptej në drita të kerrit e kemi pa një njeri të fshehur në bagrema”, tha ajo para trupit gjykues.
“Nuk kam folur ngase kam menduar se po i tuti fëmijët, do të thotë nuk ju kam treguar as burrit e as fëmijëve. Kur kam shkuar te baba dhe treguan se ndodhi ky rast, unë kam treguar se kam pa këtë person, në atë moment edhe ka vetuar e ka bo zoti dritë dhe e kam pa atë njeri, ka qene duke ra shumë shi, nuk e kam njoft njeriun ngase ka qenë i veshur me një pallto të gjatë të zeze, krejt zi”- përshkruhet të ketë deklaruar dëshmitarja sipas dosjes së gjykatës.
Pas kësaj dëshmitareje, është dëgjuar edhe dëshmitari tjetër Valdrin Dervishaj, i cili ka qenë e paraparë të vazhdonte edhe sesancën e sotme (13.05.2024) dëshminë e tij.
Para këtyre dy dëshmitarëve, në seancën e datës 23.04.2024 ishin dëgjuar dy dëshmitarë të Prokurorisë, Gazmend Zeqiraj dhe Granit Mustafaj – vëllai i vajzës së vrarë në sulmin ndaj autobusit.
Dëshmitari Zeqiraj kishte deklaruar se në natën kritike e kishte dëgjuar një bisedë në mal mes dy personave. Njëri nga ta, sipas tij, kishte ardhur me veturë nga “Kullat e Haradinajve”, kurse personi tjetër kishte qenë i fshehur në ferra.
Biseda mes dy personave që e kishte dëgjuar ishte: “Ku është ai ahmaki?”. Kurse tjetri iu kishte përgjigjur: “U shku me vra Ganinë”.
Dëshmitari kishte thënë se nuk i ka parë këta persona, por vetëm i ka dëgjuar.
“Qita dy persona që kanë bisedu mes vete, qind për qind nuk janë kanë të Gllogjanit, sa i njoh unë djemtë e Gllogjanit në zë” – kishte thënë dëshmitari.
Dëshmitari tjetër Mustafaj para gjykatës kishte thënë se e kishte parë të akuzuarin Halil Mehmetaj para dyerve të shtëpsië së tij në natën kritike pasi kishte ndodhur rasti.
“Te lokali është kanë t`u kthy, në atë moment kur është kthy e kam pritë, jam afru te kerri, e ka hapë dritaren jam afru kah ana e shoferit, dhe i kam thanë se: “E kanë sulmu autobusin se Genta u kanë në autobus”. Më ka thanë: “E di, dhe jam në kontakt me mjekë, ka me bo ma mirë”- ishte shprehur dëshmitari.
Më 08.02.2024 ishte dëgjuar rrëfimi i nxënëses Andina Bajramaj, tani 19-vjeçare, e cila kishte qenë në autobusin e sulmuar në natën kritike, dhe kishte dhënë përshkrime mbi sulmuesin, por nuk kishte arritur t’ia shihte fytyrën të njëjtit.
Ky rast gjyqësor është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë.
Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?
Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G. Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H. M., në vitin 2020”, e cila ishte e bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.
Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G. Gj., i cili u vra në sulmin kundër autobusit.
Edhe gruaja e shoferit të ndjerë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë së saj.
Për këtë rast janë dëgjuar dëshmitaret Pranvera Halilaj dhe Rozeta Pjetraj, që sipas Prokurorisë vërtetojnë motivin e hakmarrjes të kësaj vrasjeje.
Por, për shkak që këta dëshmitarë kanë rrëfyer detaje nga jeta personale e tani të ndjerës H. M., vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, e nga jeta personale e vetë të akuzuarve, publiku ishte përjashtuar.
I akuzuari Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë, është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.
Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.
Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.
Në këtë gjykim janë dëgjuar edhe rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.
Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë.
Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.
Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, në tëcilën ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.
Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.
Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.
Ndaj Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë.
Mbi ta rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.
Akuza përfaqësohet nga prokurorja Sahide Gashi, kurse rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska – anëtarë.
Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.