Shumë Propozime si të Mbrohen Konsumatorët

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ky projektligj është në fazën e amandamentimit në këtë komision.

Raif Preteni nga Autoriteti Rregullativ për Shërbime të Ujit rekomandoi që konsumatorët e ujit të kenë matës individualë, e jo kolektiv të faturimit.

Sipas tij vetëm në rajonin e Prishtinës janë mbi 15 mijë konsumatorë që kanë matës të përbashkët.

“Vetëm rajonin e Prishtinës janë rreth 15 mijë mijë konsumatorë pa matës individual të cilët faturohen përmes ujëmatësit të përbashkët… Shkyçjet kolektive janë të papranueshme. Mospërfshirja e këtij propozimi nënkupton mosfaturimin e konsumatorëve”, tha Preteni duke shtuar se është më se e nevojshme që të rregullohet mundësia e faturimit të këtyre konsumatorëve.

Dren Ajeti nga Klubi i Prodhuesve, tha se  shenjëzimi përmes një flamuri anash produktit është i nevojshëm për informim të konsumatorëve për të ditur prejardhjen e produktit.

Ai propozoi që në Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të përfshihet kjo dispozitë ligjore.

“Shitësi detyrohet që ta tregojë origjinën e produktit përmes vendosjes së një etikete. Konsumatori e gëzon të drejtën e informimit për prejardhjen e produktit”, theksoi Ajeti.

Sherif Fejzullahu, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, tha se duhet të shpejtohet me këtë ligj.

“Ligji të mos vonohet”, tha ai.

E anëtari i këtij komisioni nga AAK, Gani Dreshaj, tha se bankat komerciale në Kosovë nuk po i mbrojnë të dhënat personale të konsumatorëve duke e dërguar kodin e kartelës përmes mesazhit.

Ndërkaq, reagim pas kësaj deklarate kishte Bujar Meka nga Banka Qendrore duke thënë se Banka Qendrore është shumë aktive ndaj mbrojtjes së konsumatorëve. Sipas tij sa i përket kodit gjithçka është nën kontroll.

“Pasi hyn në marrëveshje kontraktuale, nuk ka mundësi që me ardhë SMS-ja pa e nënshkru kontratën me bankën”. tha ai.

Sipas tij, Banka Qendrore brenda një viti i trajton mbi 500 ankesa.

Kryetarja e grupit punues, Mimoza Kusari Lila, tha se Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka vullnet të madh për përcjellje dhe zbatim të ligjeve. Kusari-Lila deklaroi nuk do të ketë ndalesë në këtë ligj dhe u zotua se edhe në procedim edhe në mbikëqyrje të ligjit do të ketë bashkëpunim të plotë.

Ndërkaq, tha se propozimet e vlefshme do të merren parasysh nga komisioni dhe do të inkorporohen në projektligj gjatë amendamentimit të tij. ​