MMPHI mban dëgjim publik lidhur me shpronësim të pronave në Leposaviq, dëgjim publik do mbahet edhe në Zubin Potok

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës(MMPHI) përmes një njoftimi bëri të ditur se sot ka mbajtur dëgjim publik lidhur me shpronësimin e disa pronave që ndodhen në juridiksion të komunës së Leposaviqit.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sot me datë 15 Shkurt, 2023 prej 10:30 deri më 13:30, ka mbajtur Dëgjimin Publik lidhur me shpronësimin e kërkuar, të të drejtave pronësore apo të drejtave të tjera në pronat e paluajtshme, që ndodhen brenda juridiksionit territorial të Komunës së Leposaviqit”- thuhet në njoftim.

Sipas MMPHI-së, dëgjimi publik është mbajtur për vendimin e datës 2 shkurt 2023 lidhur me kërkesën për shpronësim për interesa nacionale të pronave për realizim të projekteve infrastrukturore për zonat: Bistricë e Shalës, Bregu i Madh, Dren, Leshak dhe Koshtovë.

“Dëgjimi publik është mbajtur marrë parasysh Vendimin Nr.02/124, të datës 02.02.2023, për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes nacional të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e ‘’Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’’, për Zonat Kadastrale: Bistricë e Shalës, Bregu i Madh, Dren, Leshak dhe Koshtovë, Komuna Leposaviq si dhe Zonat Kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Banjë dhe Jasenovik i Epërm, Komuna Zubin Potok”- thekson më tej MMPHI.

Sipas ministrisë, në këtë dëgjim publik pati interesim të madh të qytetarëve, ku para tyre është prezantuar e gjithe procedura e shpronësimit dhe mbarvajtja e procesit.

“Pjesëmarrja e banorëve në Dëgjimin Publik zgjoi interesim të madh nga qytetarët, me ç’rast Departamenti i Shpronësimit, përkitazi Ma.Sc.Afrim Murati, drejtori i Departamentit të Shpronësimit të MMPHI-së, prezantoi para qytetarëve, të gjitha procedurat e shpronësimit dhe mbarëvajtjen e procesit. Secilit banorë apo palë, i’u dha mundësija që të shprehin komentet e tyre ndërlidhur me shpronësimin e propozuar për çështje që janë në interes të banorëve të kësaj Komune e që ndërlidhen me realizimin e projekteve infrastrukturore, nga Qeveria e Republikës së Kosovës”- thuhet më tej në njoftim.

Dëgjim i ardhshëm publik lidhur me procesin e shpronësimit për pronat e paluajtshme në komunën e Zubin Potokut do mbahet më 21 shkurt në Sallën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.

“Duke u mbështetur në nenin 9, Departamenti i Shpronësimit, ka caktuar mbajtjen e ardhshme të Dëgjimeve Publike lidhur me shpronësimin e kërkuar, të të drejtave pronësore apo të drejtave të tjera në pronat e paluajtshme, që ndodhen brenda juridiksionit territorial të Komunës Zubin Potok, me Datë 21 Shkurt 2023, Ora 10:30, në Sallën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, përkatësisht për zonat kadastrale:Bërnjak, Zubin Potok, Banjë dhe Jasenovik i Epërm”- bëhet e ditur nga ministria.

Qeveria e Kosovës në fillim mes të janarit të këtij viti kishte marrë vendim për shpalljen me interes të veçantë publik të disa pronave të paluajtshme në komunën e Leposaviqit.

Sipas komunikatës së ZKM-së, këto prona janë në zonat kadastrale Dren dhe Leshak, komuna e Leposaviqit dhe se këto prona janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’.

Banorët e fshatit Dren të komunës së Leposaviqit ka kohë që janë duke protestuar ndaj vendimit të qeverisë për shpronësimin e disa parcelave në të cilat sipas policisë do ndërtohet një stacion policor.

Qeveria merr dy vendime për shpronësime për interes publik të disa pronave në Leposaviq dhe Zubin Potok