Debati për projektligjin për Kinematografi. Foto: KALLXO.com.

Projektligji për kinematografinë përplas kineastët gjatë debatit publik në Kuvendin e Kosovës

Një mal me vërejtje janë shpalosur sot nga kineastët kosovarë lidhur me Projektligjin e ri për kinematografinë, gjatë një dëgjimi publik në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshimet rrënjësore nga ligji i kaluar, kriteret e zgjedhjes së drejtorit të Qendrës Kinematografike, rabati për produksionet e huaja, eliminimi i Këshilli Drejtues të QKK-së, veprat audio-vizuale, TV seritë e çështja e “Kosova-Filmit”,  ishin disa nga çështjet që kanë përplasur kineastët kosovarë gjatë këtij dëgjimi publik që u organizuara nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës.

Për një pjesë të filmbërësve kosovarë ky Projektligji favorizon klane të caktuara, mundëson keqpërdorim të parasë publike, duke favorizuar producentët e huaj e diskriminuar ata vendorë.

Sopi: Rabat, shpëlarje parash

Kryetari i këtij Komisioni, deputeti Ardian Gola, tha në fillim të dëgjimit publik se qëllimi është që të merren sugjerimet dhe vërejtjet e filmbërësve lidhur me Projekligjin,

“Ju inkurajoj që të prezantoni vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me këtë Projektligj, dhe të na i përcjellni edhe me shkrim në Komision, me qëllim që ne të kemi mundësi t’i trajtojmë në mënyrën më të mirë”-u tha deputeti Gola diskutuesve.

Regjisori Agim Sopi tha gjatë fjalës së tij se Projektligji i ri është i dëmshëm për kinematografinë. Sipas tij, Projektligji e deinstuticionalizon QKK-në dhe e shndërron në një instrument qeveritar në dorë të ministrit. Të metat e këtij Projektligji, sipas Sopit, janë edhe mënyra e zgjedhjes së drejtorit të QKK-së, financimi i veprave audio-vizuale dhe i TV serialeve, etj.

Ai tha se çështja e rabatit, ku parashihet rimbursim në masën 30 % të investimeve nga produksione filmike të huaja që vijnë për të xhiruar filma në Kosovë, mundëson shpëlarje parash e keqpërdorim të buxhetit publik.

“Rabati, si normë ligjore parash rimbursimin e shpenzimeve në masën prej 30 % të për kompani të huaja që xhirojnë filma në Kosovë. Rabati mundëson shpëlarje parash dhe vjedhje me paramendim të parasë publike, duke diskriminuar kineastët kosovarë, të cilët kur xhirojnë një film detyrohet t’ i paguajnë shtetit deri në 40% të buxheti të shpenzuar”-tha Sopi, i cili foli edhe në emër të Shoqatës “Pro Arte”, kryetar i së cilës është.

Ndërkaq aktori Sunaj Raça tha se në Projektligj duhet të specifikohet qartë se drejtori i QKK-së duhet të jetë me diplomë universitare nga fusha e kinematografisë. “Duhet të caktohet saktë se drejtori i QKK-së duhet të jetë së paku me diplomë master në fushën e Kinematografisë”- tha Raça.

Kastriot Avdyli, regjisor e producent, tha se QKK duhet të shndërrohet në një agjenci të posaçme, me këshill drejtues,  por jo nën ombrellën e MKRS.

Kurse Gani Mehmetaj tha se “Kosova-Filmi’ nuk duhet të shndërrohet në njësi brenda QKK-së.

Basholli kundër kritikave: Një Projektligj për të rinjtë

Regjisorja Blerta Basholli, ish- anëtare e komisionit për draftligjin për kinematografi, ka kundërshtuar kritikat duke thënë se ky Projektligj është hartuar duke pasur parasysh zhvillimet kinematografike, por edhe për t’i hapur rrugë zhvillimit kinematografik.

Sipas saj, Projektligji është edhe një ndihmesë për kineastët e rinj, dhe ka kundërshtuar kërkesë që me ligj të parashihet që drejtori i ardhshëm i QKK-së të ketë diplomë universitare nga fusha e kinematografisë.

“Ne me një pjesë të komunitetit të kineastëve jemi pajtuar që jo domosdoshmërisht drejtori i QKK-së të zgjidhet personi që ka diplomë nga fusha e kinematografisë, pasi mendoj se një person të qenit regjisor e producent i  mirë, nuk e bën atë dhe menaxher të mirë”-tha Basholli.

Lum Çitaku, zëvendësues i drejtorit të QKK-së, tha se hapësira e lënë në Projektligjin për kinematografi do të plotësohet me akte nënligjore.

“Krejt kjo do të bëhet për të lehtësuar funksionimin dhe mbështetjen për kinematografinë”-tha ai.

Vërejtje gjatë këtij debati u ngritën edhe për shuarjen e Këshillit Drejtues të QKK-së, fuqizimin e kompetencave të drejtorit, mënyra e zgjedhjes së jurive dhe komisioneve vlerësuese për projektet që mbështeten nga QKK-ja, etj.