Gjykimi për vepra që lidhen me terrorizmin |(Arkiv) | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca për Terrorizëm me Kërkesë të Prokurorit

Prokurori i EULEX-it Robert Kucharski rreth dy javë më parë i kishte kërkuar kryetares së trupit gjykues Nora Bllaca ta shtynte seancën.

Ky prokuror ia kishte shpjeguar Bllacës se më 10 qershor nuk do të jetë në Kosovë, pasi do të udhëtonte jashtë për një intervenim kirurgjik.

Kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca tha për KALLXO.com se e ka shtyrë seancën për datën 21 korrik 2016, pas kërkesës së prokurorit.

Në këtë proces gjyqësor Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

I akuzuari Musli Hyseni, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, moslajmërim të përgatitjes së veprave penale dhe moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre.

Pjesë e kësaj aktakuze ka qenë edhe Bekim Mulolli, por ndaj tij është veçuar procedura penale në një nga seancat e kaluara.