Sheshi i Mitrovicës

Vonohet Përfundimi i Punimeve në Sheshin e Mitrovicës

Sipas zëdhënësit të Komunës së Mitrovicës Hysni Syla, sheshi me gjithë vonesat e tij pritet të përfundojë në qershor të vitit 2016.

“Ka pasur disa probleme dhe për këtë arsye nuk ka përfunduar ashtu qysh ka qenë e paraparë me projekt. Fillimisht kompania ka pasur probleme financiare dhe gjithashtu edhe komuna ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime”, tha Syla për KALLXO.com.

Ndërsa Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë që ka financuar punimet e këtij sheshi, thotë për KALLXO.com se ka pasur disa çështje të cilat e kanë vonuar përfundimin e projektit.

Sipas kësaj zyre, komuna ka kërkuar ndryshimin e dizajnit origjinal, duke çuar kështu në përkeqësimin e gjendjes ekzistuese të sheshit.

“Komuna ka kërkuar instalimin e gypave shtesë të kanalizimit, të domosdoshëm për shtimin e rrjetit ekzistues tretësor të zonës respektive. Përderisa ne po i ruajmë disa hapësira të gjelbruara në zonë, ka pasur nevojë për punime shtesë në atë hapësirë siç është dheu dhe gurët dekorativë. Gjithashtu frekuentimi i vazhdueshëm i njerëzve dhe veturave i kanë vështirësuar punimet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

KALLXO.com ka tentuar të marrë edhe prononcimin  e kompanisë kontraktuese “Jehona” mirëpo kjo e fundit nuk është përgjigjur.

Zyra e BE-së në Kosovë kishte ndarë 2.130,382.23 Euro për këtë projekt i cili ka  filluar në prill të vitit të kaluar dhe sipas planeve fillestare është dashur të përfundoj në gusht të vitit 2015.