Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq, Mitrovicë e Veriut Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com - 16 janar 2024

Gjashtë vjet nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, rasti ende i pazbardhur

Gjashtë vjet më parë, në Mitrovicën e Veriut, pranë zyrave të partisë së tij, Iniciativa qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia (SDP), u vra politikani serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Ai u vra pas një atentati rreth orës 8:15 mëngjesin e së hënës së 16 janarit të vitit 2018 me gjashtë plumba në shpinë. E pranishme në ato momente ishte edhe gruaja e tij, Marina.

Edhe pas gjashtë vjetëve, vrasja e politikanit serb nuk është zbardhur.

Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq, Mitrovicë e Veriut Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com – 16 janar 2024
Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq, Mitrovicë e Veriut Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com – 16 janar 2024

Disa dëshmitarë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për rastin ndërsa disa seanca janë zhvilluar pranë organeve të drejtësisë.

Deri më tani, për rastin e vrasjes së Ivanoviq janë të akuzuar gjashtë persona. Rade Basara akuzohet së bashku me Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq se kanë ndihmuar në ekzekutimin e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK