Ushtarë të KFOR-it në Mitrovicë më 2000 - Foto: Albin Kurti / facebook

Kurti për viktimat e 3 e 4 shkurtit 2000: Ky spastrim etnik e ndryshoi krejtësisht strukturën demografike të Mitrovicës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë.

Kurti shkruan se grupet kriminale të Serbisë kryen fushatë kriminale me qëllim spastrimin etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas.

“Atë natë ata i vranë 10 shqiptarë dhe i plagosën 25 të tjerë, ndërsa dhjetëra banorë u torturuan. Në ditët në vijim gjatë muajit shkurt, grupet kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi, i dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti thotë se shtëpitë e shqiptarëve u uzurpuan nga serbët me ç’rast iu mohua shqiptarëve çdo e drejtë, përfshirë mundësinë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

“Ky spastrim etnik i kryer para 24 viteve, e ndryshoi krejtësisht strukturën demografike të Mitrovicës. Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të asaj kohe, para shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, 53% të njehsorëve të energjisë elektrike ishin nëpër amvisëri të shqiptarëve” – shkruan tutje ai.

Ndryshimi i realitetit në terren, sipas Kurtit, krijoi kushte për thellimin e ndarjes fizike të Mitrovicës në dy pjesë.

Ai kritikoi udhëheqësit politikë të Kosovës se në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës.

Kurti thotë se tani ka ndryshuar gjendja shumë nga viti 2000, meqë edhe organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste dhe sundimi i ligjit ka përparuar.

Tutje, Kurti ka kërkuar drejtësi për viktimat e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

“Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë u vranë: Bashkim Rrukevci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Niman Sejdiu, Sebaha Abrashi, Selime Berisha dhe Nexhmije Xhaka”, shkruan ai.