Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, 10.11.2023 | Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Vitin e ardhshëm pritet të nis faza e dytë e ndërtimit të shtëpive në Mitrovicë të Veriut - Pamje

Faza e dytë e ndërtimit të shtëpive në veri të Mitrovicës për banorët të cilët ishin shpërngulur gjatë luftës së fundit në Kosovë pasi u ishin djegur shtëpitë, pritet të fillojë vitin e ardhshëm.

Kështu është konfirmuar nga Komuna e Mitrovicës dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

KALLXO.com, të enjten pa nga afër punimet e këtyre shtëpive derisa mësoi se do të ketë ndryshime në projektet e shtëpive gjatë fazës së punës.

23 shtëpi janë duke u rindërtuar, ndërsa katër shtëpi janë në renovim.

Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Ramë Hamzaj, shef i Divizionit të Banimit, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka konfirmuar për KALLXO.com se komisioni i cili është formuar prej ministrisë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ata të Komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë dalë në terren për t’i parë të gjitha problematikat të cilat kanë has në lidhje me realizimin e projektit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive në këtë zonë.

“Shumica e këtyre parcelave kadastrale të cilat projekte janë bërë paraprakisht, projekti ideor dhe projekti zbatues në bashkëpunim me banorët me gjendjen faktike në terren ka disa ndryshime të vogla të cilat janë reflektu dhe banorët kërkojnë me i bo disa ndryshime në projekte. Kryesisht ndryshime për nevojat e tyre familjare. Në kuadër të atij projekti me pas një organizim pak më ndryshe, gjithkush ka kërkesa të veçanta”- ka thënë Hamzaj.

Tutje ai tha se janë në fazën e realizimit të këtyre shtëpive dhe faza e parë e ndërtimit pritet të përfundojë për një vit.

“Jemi në fazën e realizimit të projektit. Disa shtëpi janë në themele, disa kanë fillu, disa janë deri në kulm, disa janë duke u punu përdhesa, kemi dalë thjeshtë me pa vazhdimin e ndërtimit të ktyre shtëpive. Tash jemi duke vazhdu fazën e parë janë duke përfundu punët e vrazhda. Disa shtëpi janë në themele, disa janë duke i përfundu pllakat e përdhesës, disa janë duke i vazhdu muratime, ekskluzivisht punët e vrazhda. Kontrata me operatorët ekonomikë është për një vit”- u shpreh ai.

Ramzaj thotë se rindërtimi i shtëpive që i takojnë fazës së dytë do të fillojë vitin e ardhshëm.

“I kemi 23 shtëpi të cilat janë duke u rindërtu. Katër shtëpi janë në renovim nga Ministria e Mjedisit, Planifikim Hapësinorë për këtë fazën e parë. Kemi kërku nga komuna listën në pritjeve të familjeve të tjera për vitin e ardhshëm. Ndërtimi i shtëpive që i takojnë fazës së dytë fillojnë në vitin e ardhshëm. Në këtë komunë kanë përfitu edhe tetë familje të tjera të cilat i përkasin komunitetit jo shumicë”- ka thënë Hamzaj.

Pyetur se a paguan qira ministria për këto familje të cilat jetojnë në vendbanime të tjera ai tha se nuk është kërkuar një gjë e tillë nga ta.

“Jo ata vetë nuk kanë kërku prej neve që t’iu kompensojmë qerajat sepse këta veç kanë qenë të vendosur jashtë këtyre objekteve. Qëllimi i ministrisë është që t’iu krijojë kushte me normat e banimit, t’iu krijojmë kushte që këta njerëz me qenë në këto shtëpi të tyre. Na do të përkujdesemi dhe për infrastrukturën e ujësjellësit, kanalizimit, rrugës, furnizimin me ujë, që këta njerëz me i pas të barabarta të gjitha kushtet me qytetarët e tjerë”- përfundoi ai.

Ndërkaq, njëri nga banorët e zonës, Afrim Ahma ka thënë është detyruar të blejë banesë pasi shtëpia i është djegur gjatë luftës.

“Kërkush hiç nuk ka pagu për neve gjatë 24 viteve. Unë jetoj në Prishtinë. Vetë kam pagu, e kam një banesë”- tha ai për KALLXO.com.

KALLXO.com pati raportuar më parë fillimin e ndërtimit të shtëpive në Mitrovicë të Veriut (në shtator të këtij viti) që ishin dëmtuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Banorët të cilët u prononcuan shpreheshin se kanë pritur 24 vite të bëhet një gjë e tillë gjithashtu kanë konfirmuar se askush nuk ka paguar për ta qira gjatë këtyre viteve dhe ata janë detyruar vetë ta bëjnë një gjë të tillë.

Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com