Gjykimi i Hasan Zariqit - Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi për mosmarrëveshjen rreth ujitjes së arave

Në gjykimin për mosmarrëveshjen rreth ujitjes së arave, rast ky i cili ka ndodhur në vitin 2010, në mungesë të prokurores është shtyrë seanca.

Kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, e hapi shqyrtimin gjyqësor dhe pas konstatimit të palëve në procedurë të cilët ishin të pranishme në sallë të Gjykatës, ajo i njoftoi palët se nuk ka kushte për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor pasi mungonte prokurorja e çështjes, Besa Limani.

“Mungon prokurorja Besa Limani e cila e ka njoftuar Gjykatën se është në një seancë tjetër te gjyqtari Hamdi Ibrahimi. Arsyeja e pritjes është për shkak se gjyqtarja tha se nuk zgjat shumë dhe unë isha duke e pritur”, tha kryetarja e trupi gjykues, Suzana Çerkini.

Nga të pranishmit në sallë ishin dëshmitarët, ata të cilët u ankuan për kohën e gjatë që kishin pritur.

“Në ora 10:15 ka qenë e caktuar seanca gjyqësore. Ne jemi ardhë në kohë të caktuar. Unë nuk kam më kohë të vijë”, tha njëri nga dëshmitarët.
Kryetarja e trupit gjykues ua kujtoi dëshmitarëve se ata duhet t’i përgjigjen ftesës së Gjykatës për të dëshmuar sepse një gjë të tillë e kanë obligim ligjor, në të kundërtën tha se do të sillen me urdhëresë të Policisë.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor, seanca e radhës u caktua për datën 30 korrik.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 2010 në fshatin Baincë, komuna e Drenasit, në lagjen Zariqi, pas një mosmarrëveshjeje rreth ujitjes së arave në mes të pandehurit Hasan Zariqi dhe të miturit – të dëmtuarit E.Z., në momentin kur pronarët e kompanisë së ujitjes “Ibër Lepenci” kanë bërë përpjekje për të ndalë ujin, i pandehuri me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit e ka nxjerrë nga brezi armën e tipit të panjohur, të cilën e ka mbajtur në pronësi dhe posedim të paautorizuar dhe ia ka drejtuar të dëmtuarit Smajl Hoxha dhe të miturit – të dëmtuarit E.Z.

Me pretendimin se i akuzuari i ka kryer këto veprime, Prokuroria të njëjtin e akuzon se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi në kontroll në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.