Grafika e Kroacisë | Foto: CGI

Shtetet e Ballkanit Renditen Keq në Indeksin e Qeverisjes

Shtetet e Ballkanit janë përplasur në fund të tabelës në një Indeks të ri të Qeverisjes së Qëndrueshme të publikuar nga Bertelsmann Stiftung i Gjermanisë, kua nalizohet imtësisht se si qeverisin 41 shtete të OECD-së dhe të BE-së.

Renditja shqyrton qëndrueshmërinë e ardhshme të secilit vend bazuar në 136 tregues sasiorë dhe cilësorë të grupuar nën tri shtylla kryesore – performancën e politikës, demokracinë dhe qeverisjen [llogaridhënien].

Raporti mbulon vetëm disa vende të Ballkanit – Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë dhe Rumaninë, plus një republikë tjetër ish-Jugosllave- Slloveninë dhe të gjitha renditen keq, me përjashtim të Sllovenisë, e cila zuri vendin e 20 nga 41 shtetet e vlerësuara për qeverisje.

Në fundin absolut të shteteve të ranguara është Greqia e goditur nga kriza për shkak të shkallës së papunësisë së saj “të lartë”, universiteteve me arsimim të dobët, nivelit të ulët të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor dhe arsimin fillor dhe nivelet e larta të varfërisë së fëmijëve dhe evazionit fiskal.

Pothuajse e vetmja pikë e ndritshëm ishte se “qytetarët tani kanë një pamje më realiste të kufizimeve të Greqisë”.

Më pas, më keq në renditjen në rajon ishte Kroacia, në vendin e 36-të, pavarësisht ritmeve të fuqishme të rritjes në vitin 2016.

Në raport u konstatua mosekzistim i reformave ekonomike, shkallë e lartë e evazionit fiskal dhe se papunësia kishte ardhur kryesisht si rezultat i emigrimit të fuqisë punëtore.

Për demokracinë, raporti thotë se ndërsa të drejtat civile “formalisht” mbrohen në Kroaci, de facto diskriminimi ndaj romëve dhe serbëve etnikë është i përhapur dhe ndjekjet penale vendore të krimeve të luftës duken të njëanshme.

Gjykata Kushtetuese ishte “e dëmtuar” nga emërimi i politikanëve dhe përpjekjet anti-korrupsion mbeten të dobëta.

Sa i përket llogaridhënies, në raport u tha se pak njerëz kishin njohuri për politikat publike, pasi transmetuesi kryesor ishte i njëanshëm, ndërsa shumica e mediave u përqëndruan në argëtim.

Pozitën e 36 e Kroacinë e ndau edhe Rumania ku raporti vërejti thuajse të njëjtat çështje: arsimim të dobët, shkallë të lartë të braktisjes në shkolla, shkallë të lartë të emigracionit të punës dhe shkalla të ulët të përputhjes së taksave.

Në aspektin e demokracisë, thuhet se qeveria e Bukureshtit “mbështetet shumë në urdhëresat e jashtëzakonshme të qeverisë që minojnë sigurinë ligjore”.

Sidoqoftë, pavarësia gjyqësore u konstatua se po përmirësohej dhe zyra e auditorit kombëtar u vlerësua.

Megjithatë, raporti shtoi: “niveli i përgjithshëm i njohurive politike … mbetet i ulët. Mosbesimi në sistemin politik është thelluar. Organizatat më të mëdha të medias janë shumë partiake”.

Bullgaria u vendos në krye të ligës ballkanike, megjithëse vetëm në vendin e 33-të nga 41, falë niveleve pjesërisht në rënie të papunësisë, rritjes së fitimeve tatimore dhe buxheteve më të balancuara. Mediat, sidomos mediat në internet, u vlerësuan si relativisht informative dhe pluraliste, edhe pse raporti tha se rritja e diskursit ksenofobik ishte shqetësues.

Mbi të gjitha vendet ballkanike u rendit Sllovenia, ish-republika e Jugosllavisë, në vendin e 20-të. Raporti vlerësoi politikat e saj të forta mjedisore, sistemet e kujdesit shëndetësor dhe sistemet arsimore të fuqishme, procedurat demokratike “të drejta dhe përfshirëse” dhe masat e “gjera kundër diskriminimit”.

Vendet nordike parashikueshëm erdhën në krye të indeksit, me Suedinë në vendin e parë, pasuar nga Norvegjia. Danimarka ishte në vendin e katërt, ndërsa Zvicra e treta.