Kryetari i Istogut Haki Rugova | Foto: Atdhe Mulla

Performanca e qeverisjes në Komunën e Istogut ka pësuar rënie

 

Istogu gjatë vitit 2019 ishte renditur si komuna e tretë me performacën më të mirë ndërsa gjatë këtij viti pozita e saj krahas me komunat e tjera ka rënë dukshëm.

Istogu ka rënë plotë nëntëmbëdhjetë pozita më poshtë, ajo tani renditet e njëzet e dyta sa i përket performancës në nivel Kosove.

Performanca e Istogut është vlerësuar me 62.67% të pikëve, ndërsa një vit më parë kjo përqindje e tejkalonte 65% e pikëve totale.

Vlerësimet e Istogut për 12 fusha sipas MAPL-së

Në fushën e shërbimeve publike administrative komuna e Istogut renditet e treta në nivel vendi.

Shërbimet publike në këtë komunë janë vlerësuar me 91.74 pikë nga 100 të mundshme.

Më poshtë në renditjen tabelare komuna e Istogut qëndron në fushën e transparencës. Kjo komunë renditet e pesëmbëdhjeta në mesin e komunave më transparente dhe ka marrë 90.12 pikë nga 100 të mundshme.

Përgjegjshmëria komunale në Istog është vlerësuar me 64.43 pikë duke e renditur kështu Istogun në pozitën e 18.

Në fushën e përgjegjshmërisë në mesin e shumë indikatorëve që janë vlerësuar janë edhe veprimet ligjore për suspendimin e zyrtarëve me aktakuza. Fakti se i pari i Istogut vazhdon të jetë i akuzuar nga organet ndjekëse mund të ketë bërë që Istogu të vlerësohet me vetëm 64.43 pikë.

Në fushën e barazisë në Punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare Istogu qëndron më poshtë se në fushat e tjera.

Këtu Istogu renditet e njëzeta në mesin e 38 Komunave duke u vlerësuar me vetëm 58.85 pikë.

Ndërsa në fushën e Kulturës, rinisë dhe sportit Istogu është vlerësuar me 63 pikë duke u renditur si komuna e 23 në nivel të Kosovës.

Këto vlerësime janë bazuar në punët e komunës për kulturën, rininë dhe sportit.

Për dallim nga fushat e tjera Istogu ka marrë pikë maksimale sa i përket menaxhimit të fatkeqësive. Kjo komunë ka marrë 100 pikë nga 100 të mundshmet në menaxhimin e fatkeqësive natyrore ku matën intervenimet e komunës.

Pikë nën mesatare kjo komunë ka marrë në fushën e planifikimit Hapësinor.

Komuna nuk ka arritur ta kalojë këtë fushë pasi është vlerësuar me 48.14 pikë nga 100 të mundshmet dhe duke u renditur si komuna e 19 në këtë aspekt.

Rezultatet më të dobëta komuna e Istogut i ka treguar në menaxhimin e hapësirave publike.

Istogu renditet si komuna e 33 në nivel shtetëror dhe është vlerësuar me 15.4 pikë nga 100 të mundshmet sa i përket menaxhimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.

Mirë nuk i ka punët as me Infrastrukturën rrugore ku përfshihen trotuaret, ndriçimi, shenjëzimi si dhe shtegu i biçikletave.

Në këtë aspekt Istogu është vlerësuar me 36.7 pikë dhe renditet si komuna e 30 në nivel vendi.

Fusha e Transportit Publik në Istog është vlerësuar me 73.4 pikë ndërsa ajo e parkingjeve është vlerësuar nën mesatare apo 41.3 pikë.

Sa i përket furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm komuna e Istogut renditet e njëzet e treta pasi është vlerësuar me 74.54 pikë.

Nën mesatare në Istog është vlerësuar përfshirja e vendbanimeve të komunës në kanalizim apo trajtim të ujërave të zeza. Kjo komunë është vlerësuar me 34.78 pikë nga 100 të mundshmet dhe renditet si komuna e njëzet e dytë në nivel vendi.

Nën mesatare vlerësohet edhe përfaqësimi gjinor në Istog dhe kujdesi shëndetësor pasi përfaqësimi gjinor është  vlerësuar me 46.4 pikë ndërsa kujdesi shëndetësor me vetëm 38.75 pikë.

Në mesin e dhjetë komunave të fundit Istogu qëndron edhe sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Në lidhje me këtë fushë Istogu është vlerësuar me 65.14 pikë, ndërsa sa i përket mbrojtjes së mjedisit Istogu qëndron në mesin e tre komunave më të mira dhe vlerësohet me  93.8 pikë.

Gjendja e Arsimit në komunën e Istogut është vlerësuar me 65.4 pikë, në këtë indikator Istogu renditet si komuna e gjashtëmbëdhjetë.

Këto rezultate janë bazuar në kushtet për Arsim në Komunë e Istogut.

Ndërsa sa i përket zhvillimit ekonomik Istogu qëndron në vendin e pesëmbëdhjetë dhe vlerësohet me 74.6 pikë nga 100 të mundshmet.