Publikimi i raportit nga Demokraci Plus, Foto: KALLXO.com

D+ publikon raportin për përmbushjen e zotimeve elektorale të kryetarëve për qeverisje të mirë

Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës janë shtatë komunat të cilat janë përfshirë në një raport i cili u publikua sot nga Demokracia Plus.

Ky raport tregon përmbushjen e zotimeve elektorale të kryetarëve të komunave për qeverisje të mirë.

Venera Hajrullahu, nga MAPL, tha se njëri nga qëllimet e ministrisë ka qenë transparenca e komunave të Kosovës.

“Ministria ka ndërmarrë një numër të aktiviteteve sidomos sa i përket transparencës së Komunave. Gjithashtu kemi ndarë edhe grande sa i përket transparencës së komunave. Vitin e kaluar kemi ndikuar edhe në bazë ligjore sa i përket disa akteve nënligjore. E kemi miratuar udhëzimin administrativ për standarde të komunikimit publik. Ne e kemi funksionalizuar edhe faqet e komunave për 38 komunat. Në këto ueb faqe qytetarët mund të shohim edhe mbledhjet e kuvendeve komunale live. Si ministri kemi përgatit edhe një raport sa i përket komunave, ai do të jetë publik në fund të këtij muaji. Ky raport parasheh dhe është i koncentruar në thirrjet për mbledhjet e kuvendeve komunale. Plani i veprimit për transparencë nuk është respektuar nga ana e shumicës së komunave”, tha Hajrullahu.

Muhadin Nushi, Drejtor i Administratës Publike në Komunën e Prishtinës tha se komuna po ofron mundësi për përfshirje aktive.

“Zotimet që janë dhënë janë kryer, edhe vendimet e kryetarit edhe rregulloret edhe planet urbanistike. Gjithashtu është zotim që është plotësuar edhe buxheti, kontratat e hapura janë të publikuara”, tha Nushi.

Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit, tha se janë munduar që zotimet e dhëna ti përmbushin e përpikëri.

“Ne në komunën e Prizrenit kemi hapur edhe një qendër thirrjesh, ku qytetarët e Prizrenit mund të lajmërojnë për çështje të ndryshme që lidhen me qytetarët ku pastaj i marrim kërkesat dhe i drejtojmë në organet kompetente”, tha Haskuka.

Publikimi i raportit nga Demokraci Plus, Foto: KALLXO.com

“Pajtohem me shumicën e gjerave sa i përket raportit, por po ndalem të plani i prokurimit, në buxhetin e vitit të kaluar kemi pasur 16 debate publike sa i përket buxhetit. Kur kemi të bëjmë me buxhet është shumë mirë të konsultohemi”, tha Haskuka.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tregoi se kanë aplikuar zotimet që kanë dhënë.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se zotimet e dhëna i ka realizuar.

“Unë e vlerësoj që jemi në rregull me këto të dhëna qe janë dalë në raport, jemi komuna e parë që kemi bërë publike vendimet e kryetarit. Duhet të bëhet një standard pasi që nuk ka ndonjë dokument që s’mund të publikohet, ky duhet të jetë një standard për të gjithë”, tha Gjini.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri pavarësisht që ka qenë i ftuar nga D+ dhe komuna që drejton ka qenë e përfshirë në raportin e D+, nuk ka marrë pjesë në publikimin e raportit.

D+ ka thënë se Bahtiri ishte thirrur edhe njëherë tjetër në një debat tjetër nga ku nuk kishte marrë pjesë në të nën arsyetimin se ishte i zënë me bashkimin e Mitrovicës.

Sa i përket zotimeve për publikimin e vendimeve rregulloreve dhe planeve urbane, nga shtatë komunat sipas raportit të D+ Komuna e Gjilanit ka treguar performancë të nivelit të ulët, ndërsa Ferizaj dhe Mitrovica kanë përmbushur zotimet kryesisht.

Gjakova, Prishtina, Prizreni dhe Peja sipas D+ kanë përmbushur zotimet e dhëna.

Gjilani ka publikuar vetëm 3 vendime të kryetarit Lutfi Haziri ndërsa komunat e tjera kanë publikuar deri në 389 vendime.

Në lidhje me këto vendimet foli edhe zëdhënësi i Komunës së Gjilanit, Ibrahim Ademi.

Ai arsyetoi publikimin e tre vendime duke thënë se në ueb-sajt ka ndodhur një problem nga ku janë fshirë të gjitha vendimet.