Shtëpitë e Shëndetit në Gjilan përfitojnë pajisje sanitare nga shqiptari prej Zvicres

Shtëpitë e shëndetit në Gjilan kanë përfituar donacion për pajisje sanitare me vlerë mbi 50 mijë euro nga shqiptari që jeton në Zvicër.

Kështu është bërë e ditur përmes një postimi në ‘Facebook’ të Komunës së Gjilanit.

“Falënderoj donatorin Besnik Benz, i cili jeton me familjen e tij në Zvicër. Është një kontigjent i madh që do të ndikojë në përmirësimin e kushteve në Spitalin Regjional dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Gjilan. Vlera e këtij kontigjenti është mbi 50 mijë euro dhe është për institucionin i cili mbulon mbi 500 mijë banorë. Në emër të qytetarëve të Gjilanit, e falënderoj donatorin dhe jemi mirënjohës për këtë mbështetje të madhe që e dedikon për regjionin tonë”, citohet të ketë thënë kryetari I komunës, Lutfi Haziri.

Ndërsa, drejtori i Spitalit Regjional, Nusret Hajrullahu, ka thënë se materiali sanitar në këtë kohë i mungon shumë Spitalit dhe për shkak mungesës buxhetore sipas tij është e pamundur që të furnizohen.

“Është donacion shumë i mirëseardhur, sepse prej kohësh kemi mungesë të materialit sanitar. Donatori sot ka bërë këtë të mirë të madhe për pacientët dhe garantojmë se ky donacion do të përdoret në qëllimin e duhur për kushte më të mira edhe për pacientët edhe për personelin shëndetësor, që trajtimi të jetë edhe më professional”, ka thënë drejtori Hajrullahu.

Nga ana e tij drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Selami Xhemajli, ka thënë se është një moment shumë i mirë kur pranohet donacion dhe do të punojmë ngushtë të gjithë së bashku, që ky të jetë në shfrytëzim të plotë për qëllimin e dedikuar në sektorin primar të shëndetësisë por edhe në atë regjional.

Kurse, në fjalën e tij Besnik Benz, potencoi se iniciativa për këtë donacion ka ardhur nga një rast që ai ka përmendur me nënën e tij ku kishte vërejtur  kushte jo të mira sanitare.

“Kam pas më herët nënën këtu në spital, pritja ka qenë shumë e mirë, por mungonin gjërat sanitare. Ai ka qenë qëllimi, që të ndikoj sadopak në krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe personelin që punon këtu. Gjilani do të jetë gjithmonë fokusi im kryesor që të kontribuoj në vazhdimësi”, ka pohuar Besnik Benz në fjalën e tij.