Diaspora dërgoi në Kosovë mbi 1.3 miliardë euro në vitin 2023

Në vitin 2023, remitancat apo dërgesat financiare të mërgimtarëve në Kosovë kaluan 1.3 miliardë euro përkatësisht 1 miliard e 343.4 milionë euro.

Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve apo 753 milionë euro në Kosovë erdhën nëpërmjet agjencive për transferimin e mjeteve që në dërgesën e përgjithshme bëjnë pjesë me mbi 56.1 për qind, nëpërmjet kanaleve tjera të dërgimit, në Kosovë erdhën 368.2 milionë euro me një pjesëmarrje rreth 27.4 për qind dhe në një masë më të vogël vetëm rreth 222.1 milionë euro janë dërguar përmes bankave me një pjesëmarrje prej 16.5 për qind.

Sipas të dhënave të BQK-së, për dymbëdhjetë muajt e vitit 2023, vlerë më e lartë mjeteve të dërguara është regjistruar në muajin gusht me 141.7 milionë euro përderisa vlerë më e ulët evidentohet në muajin shkurt me 82.1 milionë euro.

Në Kosovë mesatarisht erdhën 111.9 milionë euro çdo muaj.

Në raport me vitin 2022 sa ishin 1 miliard e 222.8 milionë euro, remitancat në vitin 2023 kanë shënuar rritje 9.9 për qind, shprehur në vlerë i bie që remitancat janë rritur për 120.6 milionë euro më shumë.

Remitanca nga diaspora, Burimi: Banka Qendrore e Kosovës [BQK]
Remitanca nga diaspora, Burimi: Banka Qendrore e Kosovës [BQK]
Nga viti 2008, diaspora dërgoi mbi 12.4 miliardë euro

Nga viti 2008 kur edhe Kosova e shpalli pavarësinë e saj deri në vitin 2023, diaspora ka dërguar hiq më pak se 12 miliardë e 450.6  milionë euro në Kosovë.

Nga 12 miliardë e 450.6 milionë të dërguara, nëpërmjet bankave në Kosovë erdhën 1 miliard  e 186.7 milionë euro, 6 miliardë 218.3 milionë euro erdhën nëpërmjet agjencive për transfere dhe 4 miliardë e 45.5 milionë euro të tjera përmes kanaleve tjera të dërgimit.

Vlerë më e lartë e mjeteve u regjistrua në vitin 2023 me 1 miliard e 343.4 milionë euro euro ndërsa në vitin 2011 evidentohet vlera më e ulët e dërgesave me 492.5 milionë euro.

Kujtojmë se më 02.02.2015, filloi përdorimi i IBAN-it [International Bank Accout Number], në Kosovë dhe qëllimi kryesor është të zvogëlojë rrezikun e gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare.

Gjithashtu IBAN lehtëson pagesat ndërkombëtare në Kosovë duke iu mundësuar bankave të jashtme identifikim më të qartë të saktësisë së llogarive bankare në Kosovë.

Kosova bën pjesë në mesin e vendeve të tjera të botës që përdorin IBAN-in.