Paratë e mërgimtarëve në Kosovë, për 11 muaj mbi 1.2 miliard euro

Mbi 1.2 miliard euro janë sjellë nga mërgata në Kosovë në periudhën janar – nëntor 2023, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

BQK thotë se kjo vlerë është rritur për 10.2% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vetëm në muajin nëntor, vlera e remitancave apo dërgesave të mërgimtarëve është 101.3 milionë euro.

“Prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 65%, pasuar nga kanalet tjera me 19% dhe bankat me 16%” – thuhet në njoftimin e BQK-së.

Vlera e aseteve të kompanive të sigurimit, sipas BQK-së deri në nëntor ishte 300.6 milionë euro dhe paraqet rritje prej rreth 200 mijë eurosh krahasuar në tetor 2023.

“Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.65 miliardë euro, duke shënuar rritje për 54.3 milionë euro. Asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit nëntor janë rritur për 2.8 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 499.4 milionë eurove” – njofton Banka Qendrore e Kosovës.

Nga janari deri në nëntor të vitit 2022, vlera e dërgesave të mërgimtarëve në Kosovë kaloi 1.1 miliard euro, përkatësisht 1 miliard e 102 milionë euro.

Infografika: Diar Vuçetaj/Kallxo.com

Janar – nëntor 2022, 1.1 miliard euro remitanca nga diaspora në Kosovë