Hapja e Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”. Foto: ZKM

Hapja e Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, Kurti flet për kontributet e diasporës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”.

Ky Forum, që është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, po mbahet për herë të parë dhe për tre ditë rresht do të mirëpresë 21 shtete nga e gjithë bota, me 48 folës në gjashtë panele të ndryshme tematike, përfshirë udhëheqës të fushës së migrimit dhe diasporës, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, akademia, shoqëria civile dhe media.

Në hapjen e këtij Forumi një fjalë rasti mbajti kryeministri Kurti, i cili tha se historia dhe identiteti i Kosovës nuk jetojnë vetëm brenda kufijve, por ato shtrihen përtej, duke rezonuar brenda diasporës sonë, e cila është e përhapur dhe shumë e gjerë.

“Këto komunitete bartin histori triumfesh dhe sfidash, jo thjesht si rrëfime personale, por si mishërim i gjallë i frymës që përcakton kombin tonë” – ka thënë Kurti sipas Zyrës së Kryeministrit.

Tutje është thënë se duke folur për kontributet e diasporës së Kosovës, kryeministri tha se ato janë të pamatshme.

Ai veçoi rolin e saj të rëndësishëm gjatë periudhës më të errët të shënuar nga krimet kundër njerëzimit dhe shtypja e zërave, në shpërfaqjen e mizorive ndaj popullit të Kosovës përballë propagandës së agresorit.

“Ata u bashkuan me përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe demokracisë për të ndaluar gjenocidin që po shpalosej në vendin e tyre” – u shpreh kryeministri.

Gjithashtu i pari i Qeverisë shtoi se komunitetet e diasporës kanë luajtur gjithashtu rolin e tyre, sepse sipas Kurtit ato i kanë formësuar vendet e tyre të origjinës nga shtëpitë e tyre të reja.

“Diaspora jonë është më shumë se një grup individësh që jetojnë jashtë vendit; është një forcë e fuqishme—një urë e fuqishme që lidh atdheun tonë me botën” – shtoi ai.

Kryeministri Kurti theksoi gjatë Forumit rëndësinë e diasporës në shtetndërtimin e Kosovës si dhe rolin kyç të tyre në aspektin ekonomiko-kulturor, e po ashtu përmendi dhe iniciativat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në fuqizimin e lidhjes së Kosovës me diasporën e saj, përfshirë “Dialogun me Diasporën” dhe “Programin për Diplomaci Qytetare”.

“Ju ftoj të angazhoheni aktivisht me ne, të ndani idetë tuaja dhe të bashkohemi në formësimin e trajektores së kombeve tona. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku potenciali i diasporës sonë është realizuar plotësisht dhe ku forca jonë kolektive nuk njeh kufij” – përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Nga një fjalë në këtë forum e kanë mbajtur edhe zëvendëskryeministrja njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, si dhe eksperti i njohur ndërkombëtar për çështje të migrimit dhe diasporës, Kingsley Aikins, njëherit drejtor ekzekutiv i Institutit të Rrjetëzimit në Irlandë.

Sipas ZKM-së, Forumi “Ulpiana”, si një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në vend, synon rrjetëzimin e strukturave politike dhe institucionale që punojnë në krijimin e mekanizmave inovative për ndërlidhjen dhe angazhimin e diasporës, si dhe krijimin e mundësive për rrjetëzimin e pjesëmarrësve të qeverive të ndryshme në forum, me liderë globalë politikë, organizata akademike dhe të diasporës, si dhe industri të ndryshme.

Hapja e Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”. Foto: ZKM