Foto: ZKM

Kurti takohet me diasporën në Irlandë, flet për “kthimin e trurit në atdhe”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me diasporën kosovare në Irlandë dhe në takim me ta ka folur për “kthimin e trurit në atdhe”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, me të filluar vizitën zyrtare në Irlandë, Kurti ka takuar diasporën atje, me të cilët ka diskutuar për shtetin, të tashmen e të ardhmen.

“Kryeministri Kurti theksoi se diaspora jonë janë ambasadorët tanë më të mirë, që shpërfaqin atë se çfarë përfaqëson Kosova, vlerat unike dhe zellin e punës. U trajtuan në hollësi programet, planet e objektivat e Qeverisë, të cilat synojnë kthimin e trurit dhe bashkatdhetarëve tanë në atdhe” – thuhet në njoftim.

Kurti citohet të ketë thënë se si Qeveri e kanë për obligim që të vendosin mërgatën në pozicion më të volitshëm dhe të shikojnë format e mundësitë për bashkëpunim.

Përndryshe, kryeministri Albin Kurti, nuk ishte fizikisht në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, që u mbajt më 29.02.2024 në Tiranë.

Ai tha se e kishte të pamundur të ishte aty pasi përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar.

“Për këtë arsye e kisha të pamundur të merrja pjesë në takimin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë (BP6), në Tiranë” – tha Kurti.

Mungesa fizike në Tiranë, Kurti thotë se përgatitjet për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë vjet