Skenë nga shfaqja ‘Culb Albania’. Foto: KALLXO.com.

Teatri Kombëtar më 14 shkurt jep shfaqje në Teatrin e Kukullave në Zagreb

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 14.02.2024 në Teatrin e Kukullave (Kazaliste lutaka) në Zagreb- Kroaci, do të shfaqë dramën “Club Albania” me regji të Fatos Berishës.

Prezantimi i shfaqjes “Club Albania” në Zagreb bëhet në kuadër të programit “TKK n’Diasporë”, me ftesë të Unionit të Shqiptarëve në Kroaci.

“Teatri Kombëtar i Kosovës gjatë vitit 2024 ndër të tjera do të shfaqë produksionet e veta edhe për diasporën shqiptare në vendet ku jetojnë në bashkëpunim me shoqata e organizma të diasporës. E fillojmë me ftesën e Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, ku me 14 shkurt 2024 në ora 19:00 në Zagreb do të shfaqim komedinë ‘Club Albania’”- thuhet në njoftimin e TKK-së.

E dramatizuar nga Shpëtim Selmani, shfaqja “Club Albania” tregon për një trupë teatrore e cila nis provat për realizmin e shfaqjes “Pas vdekjes” të Çajupit. Por, idetë e regjisorit, gjendja emocionale e trupës, egot e mosmarrëveshjet e bëjnë të parealizueshme shfaqjen.

Premiera e shfaqjes “Club Albania” është dhënë më 28 nëntor 2022, në Amfiteatrin e TKK-së në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.