Shifra të Paqarta të Punësimit

Mustafa në mbledhjen e 79-të Qeverisë së Kosovës gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Punës për Vitin 2015 para kabinetit të tij tha se një ndër objektivat kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të jetë edhe rritja e numrit të të punësuarve.

“Sipas evidencave ka pasur rreth 15,500 të punësuar të rinj në vitin 2015, prej të cilëve mbi 2,500 janë vetëm në sektorin e bujqësisë, si refleksion i masave të cilat janë marrë atje,” kishte deklaruar Kryeministri Mustafa më 15 prill.

Dy ditë para deklarimit të Mustafës ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi gjatë raportimit në Komisionin për Bujqësi ka përmendur se janë punësuar 1,600 persona nga grantet që kjo ministri i ka zbatuar gjatë vitit 2015.

“E kemi bërë kriter që të gjitha vendet e reja të regjistrohen në mënyrë ligjore, janë dëshmitë e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Trustit Pensional të cilat e dëshmojnë hapjen e këtyre vendeve direkte nga kjo masë,” tha Krasniqi më 13 prill.

http://kallxo.com/krasniqi-1600-vende-pune-ne-bujqesi

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) thotë se ka rritje të punësimit në bujqësi dhe industri përpunuese.

“Bazuar në statistikat e ATK-së rezulton se numri i përgjithshëm i  punëtorëve në sektorët si: bujqësi dhe industri përpunuese për vitin 2015 dhe kemi krahasuar këto shifra me vitin 2014, me ç ‘rast rezulton një rritje në numër të përgjithshëm të punëtorëve në këta dy sektorë prej 2,653 punëtorë me shumë sesa viti paraprak 2014,” thuhet në përgjigjet e ATK-së për KALLXO.com.

Për sa i përket pohimit të Kryeministrit Mustafa se në vitin 2015 janë hapur 15,000 vende pune të dhënat e kombinuara të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe institucioneve tjera, tregojnë se numri i të punësuarve në krahasim me vitin paraprak del se është mbi këtë shifër.

Mirëpo, nëse krahasohen të dhënat me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK të dhënat mund të mos përputhen, sepse gjatë leximit të të dhënave dhe raporteve ekzistojnë dallimet në mes masave aktive të tregut të punës, identifikimit të vendeve të punës dhe ndërmjetësimit të vendeve të punës.

Zyrtarë të fondit në përgjigjet për KALLXO.com thonë se nuk mund të ndajnë nga të tjerat llogaritë e hapura për të punësuarit e rinj të 2015-ës.

“Informacionet që kemi tregojnë se në FKPK gjatë vitit 2015 janë hapur mbi 34 mijë llogari të reja. Llogaritë për të cilat jeni interesuar nuk mund të veçohen nga 34 mijë llogaritë e përmendura, pasi te ne nuk vijnë me informacione se janë punëmarrës apo të vetëpunësuar; ose nëse këta kanë qenë më herët të punësuar apo jo, e me radhë,” thuhet në përgjigjen e Fondit të Kursimeve Pensionale.

Ky fond thotë se nuk mund të japë informata të detajuara për punësimet, pa u ditur numrat personalë të kontribuuesve.

“Grupimi i kontribuuesve bëhet sipas regjistrimit të ndërmarrjeve në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Për më shumë, kontribuuesit ndahen në punëmarrës dhe të vetëpunësuar. Andaj FKPK-ja mund të japë konfirmime të tilla të detajuara vetëm kur dihet numri personal i kontribuuesit,” thonë zyrtarët e fondit.