SHBA Dënon Marshin Neo-Nazist Kroat në Mbështetje të Trump

Ambasada Shteteve të Bashkuara në Zagreb të hënën dënoi ashpër marshimin e organizuar nga Partia e ekstremit të djathtë Autoktone Kroate e të Drejtave të Njeriut, A-HSP, në qendër të Zagrebit të dielën.

Në marshim, i cili kishte për qëllim të tregonte mbështetjen ndaj presidentit amerikan Donald Trump, anëtarë të partisë valëvitën flamurin amerikan, së bashku me flamurin kroat me një stemë jozyrtare e armëve ngjan një të lëvizjes ustashe kroate të kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Grupi i rreth 30 personave valëviti gjithashtu flamurin e partisë së tyre A-HSP me sloganin ustash “Za dom spremni” ( “Gati për Atdhe”) në të, si dhe flamurin e Partisë neo-naziste Kombëtare Demokratike të Gjermanisë, NPD.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara refuzon më fuqishëm pikëpamjet neo-naziste dhe pro-ustashe të shprehura gjatë një demonstrate të disa personave në Zagreb të dielën,” tha ambasada në deklaratën e saj.

“Ne dënojmë çdo përpjekje për të lidhur Shtetet e Bashkuara me këtë ideologji të urryer. Një sugjerim i tillë është fyerje ndaj kujtesës së 186,000 ushtarëve amerikanë të vrarë në Europë në luftën kundër Gjermanisë naziste dhe disa miliona viktimave të pafajshme të vrara gjatë Luftës së Dytë Botërore,” shtoi ajo.

Qeveria kroate e dënoi gjithashtu ngjarjen të dielën.

“Ne dënojmë ashpër rreshtimin e sotëm të anëtarëve të partisë A-HSP në Zagreb, i cili promovon ideologjinë ustashe dhe nazizmin, duke sulmuar vlerat themelore të sistemit kushtetues të Kroacisë,” tha qeveria në një deklaratë.

Ajo shtoi se veprime të tilla janë të destinuara “të nxisin frikë dhe mungesë tolerance në shoqëri”.

Edhe pse marshimi u lajmërua ligjërisht në polici, e cila garantoi sigurinë e pjesëmarrësve, kryetari i A-HSP Drazen Kelemineq u arrestua se brohoriti “Za dom spremni”, e cila është një kundërvajtje, sipas ligjit kroat.

Kelemineq tha të dielën se një përfaqësues i partisë gjermane të ekstremit të djathtë NPD, Alexander Neidlein, ishte gjithashtu i pranishëm në marshim për të marrë pjesë në kauzën e A-HSP-së.

“Alexander Neidlein është këtu mes nesh, një mik i cili erdhi tek ne sot për të dhënë mbështetje për shtetin e pavarur dhe sovran të Kroacisë në luftën kundër Satanit, i cili sundon shtetin kroat,” tha ai.

Ai pastaj bërtiti “Za dom spremni”, duke këmbëngulur se askush s’mund ta ndalonte atë së brohoriste sloganin ustashe në publik.

Ai shpjegoi se partia e tij e mbështet presidentin Trump për shkak të politikës së tij, sidomos qëndrimet e tij kundër emigracionit dhe anti-BE.

Kelemineq megjithatë i refuzoi krahasimet me Partinë Radikale Serbe, e cila gjithashtu e mbështeti publikisht presidentin Trump.

Disa pyesin se si policia e lejoi zhvillimin e një ngjarjeje të tillë, sepse në vitin 2015, ministri i brendshëm i atëhershëm Ranko Ostojiq, i ish-qeverisë së qendrës së majtë, e refuzoi një përpjekje nga ana e A-HSP që të mblidhte anëtarë e saj në sheshin qendror të Zagrebit.

Boris Miletiq, kryetari i Asamblesë së Istrias Demokratike të qendrës së majtë, u shpreh se ky marshim duhet të ishte ndaluar.

“Kjo është një paradë e pastër nazist. Është e vështirë të imagjinohet një formë më e lartë primitivizmi në vitin 2017 sesa kjo paradë e turpshme dhe e rrezikshme. Më neverit fakti që një gjë e tillë mund të organizohet në Kroaci, dhe se zbatimi i ligjit nuk e parandalon atë që pa nisur ende,” tha të dielën Miletiq.

Miletiq i bëri thirrje qeverisë dhe presidentes kroate të dënojë “çdo akt që kërkon ringjalljen e historisë së errët të Kroacisë, çdo pjesë gjuhe urrejtjeje dhe çdo përfaqësim intolerance ndaj pakicave”.

A-HSP-ja njihet për protestat e saj në të cilat ajo shpreh mbështetjen për trashëgiminë ustashe dhe përballet me grupet antifashiste.

Midis vitit 1941 dhe 1945, lëvizja ustashe drejtonte një shtet kukull pro-nazist të quajtur Shteti i Pavarur i Kroacisë dhe kreu krime kundër serbëve, hebrenjve, romëve dhe antifashistëve.