Ftesa zyrtare e Ditës së Vullnetarëve Rusë në Vishegrad.

Serbët u Ngrenë Monument Vullnetarëve Rusë

Kryqi i krishterë ortodoks 5.5 metra i lartë u zbulua në kodrën Grad mbi qytetin e Vishegradit të mërkurën, ditë që përkon me Ditën e Vullnetarëve Rusë në entitetin serb të vendit, Republika Srpska.

12 prilli u zgjodh sepse atë ditë, në vitin 1993, në luftimet pranë Vishegradit, tre luftëtarë vullnetarë rusë u vranë.

Monumenti u zbulua nga ish-vullnetarë rusë dhe anëtarë të Shoqatës Veteranët Serbë të 12 prillit nga Mitrovica në Kosovë, të cilët dhuruan kryqin prej 400 kilogramësh.

Vendosja e tij u organizua nga Komiteti i Ruajtjes së Traditave të Luftërave Çlirimtare i qeverisë së Republikës Srpska, Organizata Veteranët e Republikës Srpska dhe komuna e Vishegradit.

Ndihmësministri i Punës dhe Çështjeve të Veteranëve i Republikës Srpska, Dushko Milunoviq, tha në ceremoni se historia e marrëdhënieve Serbi-Rusi ishte me shekuj e gjatë.

“Gjëja më e rëndësishme ishte mbështetja morale dhe ushtarake që populli rus i ofroi serbëve në çastet e tyre kritike”, tha Milunoviq.

Ky është monumenti i dytë për vullnetarët rusë në Vishegrad, pas vendosjes së një pllakate përkujtimore në nëntor 2011, me emrat e 37 rusëve që vdiqën gjatë luftës boshnjake të gdhendur në të.

Numri i saktë i vullnetarëve rusë që luftuan në radhët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës nuk dihet, por mediat kanë spekuluar se ka pasur rreth 500 deri 600 luftëtarë rusë.

Ngritja e monumentit shkaktoi një reagim të zemëruar nga dy grupe të viktimave boshnjake të luftës, Nënat e Srebrenicës dhe Shoqata Zepa dhe Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, që pretenduan se ai “shpërblente krimet” e kryera gjatë luftës.

Republika Srpska dhe Rusia po vërtetojnë se paqja dhe stabiliteti në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk është qëllimi i tyre dhe se ata do të vazhdojnë me masat e tyre shkatërruese që ofendojnë viktimat e pafajshme”, thuhej në një deklaratë të nënshkruar nga Munira Subasiq, kryetare e Nënat e Srebrenicës dhe Shoqata Zepa, dhe Murat Tahiroviq, kryetar i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit.

Bilal Memisheviq, kryetar i Majlis i Komunitetit Islamik të Vishegradit, i cili përfaqëson myslimanët vendas, tha se vendosja e kryqit ishte një gjest provokues.

“Ky akt i përshkallëzon problemet që ne mendonim se i kishim lënë pas”, tha Memisheviç për median boshnjake.

Sipas gazetës boshnjake “Dnevni Avaz”, Shoqata e Familjeve të Viktimave Boshnjake të Luftës lajmëroi, në përgjigje për ngritjen e kryqit, se ata do të ndërtojnë një monument në formë zambakësh në bregun e majtë të lumit Drina në Vishegrad, në kujtim të rreth 3,000 viktimave të krimeve të luftës në zonë.

Sipas një vendimi të ICTY-së, forcat serbe të Bosnjës e nënshtruan Vishegradin “ndaj një prej fushatave më të plota dhe më të pamëshirshme të spastrimit etnik gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.