SHBA i del në mbështetje Bosnjës në prag të festimit të planifikuar nga nacionalistët serbë

Dy avionë luftarakë amerikanë kanë fluturuar mbi Bosnje ndërkohë që pjesë të këtij vendi përgatiteshin për ta shënuar përvjetorin e shpalljes së Republika Srpska si një shtet separatist
Dy avionë luftarakë amerikanë fluturuan mbi Bosnjë të hënën në një gjest mbështetjeje për këtë vend në prag të një parade nacionaliste të stilit ushtarak të planifikuar nga separatistët serbë në një kohë tensionesh të larta.

Ambasada Amerikane në Sarajevë ka thënë se fluturimi me avionët F16 ishte një stërvitje e përbashkët stërvitore me forcat boshnjake, si dhe një “demonstrim i angazhimit të SHBA” për ta garantuar integritetin territorial të Bosnjës përballë “aktivitetit secesionist”.

Avionët fluturuan mbi qytetet verilindore të Tuzlës dhe Brçkos, por thuhet se mund të dëgjoheshin në Banja Luka, kryeqyteti serb i Bosnjës në perëndim, i cili do të jetë fokusi i përkujtimeve të planifikuara të së martës për të shënuar 32 vjetorin e shpalljes së Republika Srpska si një shtet të shkëputur.

Festimet, që përfshijnë një paradë të forcave paraushtarake, janë një gjest sfide kundër shtetësisë boshnjake. Ata janë ndaluar nga gjykata kushtetuese e vendit si diskriminuese ndaj jo-serbëve.

Shpallja e Republika Srpska në janar të vitit 1992 shkaktoi një luftë civile dhe një fushatë të spastrimit etnik të myslimanëve dhe kroatëve, në të cilën u vranë 100,000 njerëz.

Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska, i ka minimizuar fluturimet e avionëve F16, duke bërë shaka se ata do të kontribuonin në ceremonitë e përvjetorit. Në një fjalim në prag të festës, lideri separatist e përsëriti qëndrimin e tij të kahershëm se “qëllimi i popullit serb është një shtet serb në këto zona”.

Dodik mori mbështetje nga presidenti i Serbisë fqinje, Aleksandar Vuçiq, i cili njoftoi se një shfaqje fishekzjarresh do të mbahet në Beograd të martën mbrëma, e sinkronizuar me shfaqjet në Banja Luka dhe qytete të tjera të Republika Srpska.

Parada e këtij viti vjen mes një numri në rritje të sulmeve dhe kërcënimeve kundër refugjatëve të kthyer, veçanërisht të kthyerve boshnjakë dhe kroatë në Republika Srpska.

Të dielën, dy burra serbë u arrestuan pasi qëlluan me armë teksa kalonin me veturë pranë një komuniteti boshnjak në Srebrenicë, skenën e një masakre të vitit 1995 të mbi 8,000 burrave dhe djemve kryesisht boshnjakë, të gjykuar si një akt gjenocidi nga një gjykatë për krimet e luftës në Hagë.

Burrat u liruan të hënën pas protestave serbe të udhëhequra nga kleri ortodoks dhe kryetari serb i Srebrenicës.

Në deklaratën e saj të lëshuar të hënën, ambasada e SHBA thotë se Uashingtoni “do të veprojë” nëse dikush përpiqet të shkëputet nga Bosnja në kundërshtim me kushtetutën e shtetit dhe marrëveshjen e paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje.

Megjithatë, Dodik shpesh ka qenë në gjendje ta sfidojë kushtetutën dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës, të cilët kanë pak mjete për zbatimin e tyre. Një forcë stabilizuese e BE-së është zvogëluar në dy dekadat e fundit nga 7,000 në pak më shumë se 1,000./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala