????????????????????????????????????

Serbët e Bosnjës Ndalojnë Bashkëpunimin me Policinë e Shtetit

Republika Serbe ka pezulluar të gjithë bashkëpunimin me policinë, prokurorinë dhe gjykatën në nivel shtetëror në një përshkallëzim dramatik të krizës politike në vend.

Qeveria e Republikës Serbe tha të enjten se ndaloi bashkëpunimin me Agjencinë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje dhe prokurorinë e shtetit pas arrestimit të pesë serbëve të Bosnjës për krime lufte në Bosanski Novi dhe bastisjeve të objekteve zyrtare për prova në këtë qytet të kësaj republike.

“Qeveria e Republikës Serbe beson se ky veprim paraqet shkelje të rëndë të marrëveshjes me autoritetet e nivelit shtetëror mbi bashkëpunimit policor dhe është një akt antikushtetues,” tha në një konferencë për shtyp ministri i brendshëm i Republikës Serbe Dragan Lukaq.

Lukaq tha se qeveria e ka urdhëruar ministrinë e tij të mos e lejojë policinë e shtetit apo prokurorët të hyjnë apo hetojnë ndonjë zyrë entiteti apo komunale në Republikën Serbe.

Pas arrestimeve, Qeveria e Republikës Serbe kërkoi një seancë të menjëhershme të Asamblesë Kombëtare të entiteti për të diskutuar situatën. Seanca u planifikua për të enjten pasdite.

Zëdhënësi i prokurorisë boshnjake Boris Grubesiq tha se arrestimet dhe kërkimet në ndërtesat zyrtare në Bosanski Novi enjten në mëngjes u kryen “në mënyrë të ligjshme” dhe se u habitën nga reagimi i Republikës Serbe.

“Kërkimet në rajonin e policisë, ndërtesën e komunës dhe në kompani u urdhëruan nga gjykata shtetërore boshnjake, sepse kishte prova që policia dhe forcat e mbrojtjes civile në Bosanski Novi u përfshinë aktivisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e largimit dhe fshehjes së trupave dhe eshtrave të 27 viktimave të luftës nga fshati Maslovare,” tha Grubesiç.

“Gjykata dhe prokuroria shtetërore boshnjake dhe SIPA (Agjencia Shtetërore për Investigim dhe Mbrojtje) po punojnë në përputhje me ligjin dhe juridiksionin e tyre dhe në këtë proces, asnjë institucion apo person nuk është i paprekshëm. Çdo përpjekje për ta ndaluar sistemin gjyqësor të bëjë punën e tij përbën një vepër penale që mund të ndiqet penalisht,” shtoi Grubesiq.

SIPA tha se deri tani nuk kishte marrë ankesa zyrtare nga Republika Serbe.

“Ne theksojmë se SIPA veproi brenda juridiksionit të saj ligjor dhe në përputhje me urdhra të qarta nga prokuroria boshnjake, kështu që çdo koment mbi vendimet politike të disa institucioneve do të ishte joprofesional dhe jashtë juridiksionit tonë,” tha SIPA në një deklaratë.

Zhvillimi përfaqëson një përshkallëzim dramatik të krizës politike që filloi pothuajse menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur partitë boshnjake dhe ato kroate i kërkuan bllokut të partive opozitare serbe t’u bashkoheshin atyre në një koalicion qeverisës në nivel shtetëror, duke anashkaluar partinë në pushtet në Republikën Serbe, Aleancën e Social-Demokratëve të Pavarur, SNSD.

Kjo shkaktoi një konflikt të madh midis partive në pushtet dhe atyre opozitare në Republikën Serbe dhe secila palë u përpoq të zgjeronte kontrollin e saj politik për të përfshirë qeverinë në nivel shtetëror dhe atë në nivel etnie.

Më herët këtë vit, lideri i SNSD-së dhe presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik prezantoi një nismë për një referendum për të sfiduar autoritetet e sistemit gjyqësor në nivel shtetëror dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, zyrtarin më të lartë ndërkombëtar të Bosnjës, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së paqes të Dejtonit të vitit 1995.

Lëvizja u denoncua nga zyrtarë vendas dhe nga ata ndërkombëtarë dhe madje tërhoqi kritika nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiq.

Megjithatë, vendimi i së enjtes nga qeveria e Republikës Serbe në mënyrë efektive paraprin rezultatet e referendumit të shumëdiskutuar dhe ka të ngjarë të thellojë seriozisht krizën e vendit.

Pesë serbët u arrestuan të enjten me dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër civilëve boshnjakë në zonën e Bosanski Novit në vitin 1992.

Krimet e dyshuara përfshijnë akte torture, abuzim, paraburgimin dhe vjedhje të pronës private, tha prokuroria e shtetit.