Sekretari i shtetit Rex Tillerson | Foto: Facebook

Sekretari Tillerson ia Kujton Haradinajt Korrupsionin e Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë telegram urimi për marrjen e përgjegjësive të reja nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson.

Në telegramin e tij, Sekretari i Shtetit vlerëson se zgjedhjet e 11 qershorit ishin shenjë e qartë se Kosova ka arritur pjekurinë demokratike.

“Ju inkurajoj fuqishëm që të udhëhiqni me intensitet të shtuar e në mënyrë gjithëpërfshirëse, në zbatimin e reformave të nevojshme e urgjente”, thuhet po ashtu në telegramin e Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson.

“Reformat e tilla përfshijnë fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit, dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zgjidhja e çështjes së kufirit të Kosovës me Malin e Zi, janë thelbësore për progresin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet po ashtu në telegramin, përmbajtjen e të cilit e ka publikuar Zyra e Kryeministrit.

Më tej, Sekretari Tillerson i premton Haradinajt se do të punojnë ngushtë me Qeverinë e tij “në qëllimin tonë të përbashkët për Kosovën multietnike e demokratike, si pjesë e stabilitetit dhe prosperimit të Ballkanit”.

Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator në Kuvendin e Kosovës nga 61 deputetë që kanë votuar për dhe një abstenim.