Dardan Sejdiu - Foto: Atdhe Mulla

Sejdiu: Serbia bllokon mallrat evropiane që të thotë ose mall nga ne, ose asnjë mall tjetër

Deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu, ka reaguar pas lajmit se Serbia ka bllokuar kalimin nëpër territorin e saj të mallrave evropiane që për destinacion kanë Kosovën.

Sipas Sejdiut, kjo është një mënyrë që Serbia të thotë: ose mall nga ne, ose asnjë mall tjetër. Ai tutje ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të zbatojë reciprocitet të plotë me shtetin serb.

“MARRËDHËNIET TREGTARE (ME SERBINË): QEVERIA TA ZBATOJË RECIPROCITETIN E PLOTË, TË VENDOSË FLAMUJT E PREJARDHJES SË PRODUKTEVE NË PIKAT E SHITJES, TA KRIJOJË FONDIN ZHVILLIMOR Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi taksat për prodhimet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina, Qeveria e Serbisë përpiqet tanimë ta bllokojë qarkullimin e çdo malli nga vendet e tjera, që kalon përmes territorit të Serbisë për në Kosovë! Taksa e vendosur nga Republika e Kosovës është hap i domosdoshëm për të siguruar trajtim të barabartë në marrëdhëniet tona tregtare. Veprimi i Qeverisë së Serbisë shpërfaq saktë dhe qartë pse Republika e Kosovës duhet të vendos masa të plota reciproke politike dhe tregtare edhe me Serbinë!  Qeveria e Serbisë po thotë: Ose mall nga ne, ose asnjë mall tjetër! Ose mall te subvencionuar, pak para skadence, me çmime nën kosto të prodhimit; ose asgjë! Qeveria e Kosovës nuk duhet zbrapsur tash!”, ka shkruar Sejdiu dhe sipas tij tre hapa janë të domosdoshëm. 1. Reciprocitet i plotë tregtar dhe ekonomik! 2. Vendosja e flamurit të shtetit të prejardhjes së produktit tek çmimet e produkteve në secilin pike të shitjes! 3. Krijimi i Fondit Zhvillimor të Kosovës, në shërbim sidomos të tre industrive: Industrinë e përpunimit të ushqimit, Sektorin e shërbimeve në IT dhe Sektorin energjetik dhe minerar. Shtet zhvillimor ose varësi ekonomike! Rrugë të ndërmjetme nuk ka! Duaje tënden!”, ka shkruar Dardan Sejdiu.

Produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë do të kenë taksë prej 100%. Qeveria e Kosovës ka miratuar para disa ditësh propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja.

Gjatë ditës së sotme në media janë bërë raportime se Serbia ka marrë vendim që t’u ndalojë qarkullimin në rrugët e saj mallrave evropiane që kanë për destinacion Kosovën. Institucionet kosovare nuk kanë pranuar zyrtarisht informatë për këtë veprim të palës serbe.