Dardan Sejdiu, Shef i GP te PSD-se

Dardan Sejdiu i PSD-së ka dyshime për koalicion LVV-LDK

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Dardan Sejdiu, ka thënë se janë duke u vërejtur dyshime për koalicionin për bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe VV-së.

“Ndonëse LDK para zgjedhjeve shpreheshin të sigurtë për bashkëqeverisje me VV, sot copëzat e dyshimit po shpërfaqen”, ka thënë ai në një status në “Facebook”.

Ish- deputeti i Vetëvendosjes i cili në 2018 kaloi në PSD bashkë me 11 kolegë tjerë, ka thënë se është shumë e rëndësishme që sa më shpejt të formohet qeveria e re e të filloi me punët që e presin.

“Është e rëndësisë jetike të formohet qeveria sa ma shpejtë, të fillohet me punën e madhe të reformave shtetërore, dhe të tejkalohen inatet apo dyshimet”, deklaroi ai tutje.

Sipas Sejdiut, shembulli i partive në Gjermani, CDU-së e SPD-së në Gjermani duhet të mjaftojë për lidhjen e bashkëpunimit ndërmjet LVV-së e LDK-së.

“Populli ju dha besimin! Nëse CDU dhe SPD në Gjermani gjejnë rrugën e përbashkët, nuk duhet të jetë më vështirë në Kosovë”, tha ai.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare, fituesja e zgjedhjeve të së dielës është Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 203 mijë e 052 vota. sipas KQZ-së, partia e dytë është rënditur LDK me 197 mijë e 702 vota.