Grenell ne Beograd, Foto: Kurir/Facebook

Grenell kërkon nga qeveria e re heqjen e taksës

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i bëri thirrje Qeverisë së re të Kosovës që të heqë taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia.

Grenell, i cili është edhe ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, tha se pret që “taksa të hiqet menjëherë”.

“Ua kemi bërë të qartë të gjithë udhëheqësve të partive (në Kosovë) se heqja e taksës është në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së këtij vendi”, tha Grenell në një deklaratë me shkrim për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Në fund të vitit 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100% importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kjo ka bërë që të ndërpritet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është zotuar se nuk do të rikthehet në dialog pa u hequr taksa.

Kjo masë nuk është hequr edhe përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për ta bërë një gjë të tillë.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është zgjedhur në këtë detyrë të hënën, ka thënë se është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe ka paralajmëruar formimin e një ekipi gjithëpërfshirës për këtë proces.

Kurti po ashtu ka thënë se është i gatshëm të ndërmarrë masa reciproke tregtare, ekonomike dhe politike ndaj Serbisë./ REL