Kryeministri në largim Ramush Haradinaj - 05.11.2019

Haradinaj kërkon sërish mbledhje të qeverisë në ikje, premton se do i publikojë faturat e shpenzimeve

Qeveria në ikje e drejtuar nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka mbajtur mbledhjen e kabinetit të saj. Haradinaj me këtë rast ka kërkuar nga ministrat e tij në detyrë që të mbajnë edhe një mbledhje të radhës, në rast se vonohet krijimi i qeverisë së re.

“Në rast se vonohet formimi i Qeverisë së re, unë iu kisha ftuar që të mbajmë edhe një mbledhje tjetër të Qeverisë në detyrë, sepse ka tema që nuk mund të presin shumë”, tha Haradinaj para kabinetit të tij qeveritar në largim.

“Deklarohuni me votë se a jeni edhe për një mbledhje të Qeverisë ku ka çështje më prioritet!”, kërkoi Haradinaj.

I gjithë kabineti qeveritar në largim ka votuar për të ftuar mbledhje të Qeverisë për çështje urgjente e prioritare, edhe pse nuk u bë e ditur se cilat janë këto çështje me prioritet sipas Haradinajt.

Haradinaj gjatë mbledhjes së sotme e ka falënderuar të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matheë Palmer për vizitën e tij që i bëri Kosovës.

“E falënderoj z. Palmer për ardhjen në Kosovë. Nuk është takimi i parë, është vazhdim i agjendës, i takimeve. Për atë s’kam bërë ndonjë postim për takimin me të”, ka deklaruar Haradinaj.

Lidhur me taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, Haradinaj ka deklaruar se ai e parapëlqen masën e reciprocitetit.

“Unë e pëlqej idenë e reciprocitet, por nuk ka nevojë me u heq taksa. Taksa le të mbetet, nuk e kuptoj se pse duhet me heq taksën. Është një gabim kapital politik. Kush do qe e heq, i bën dëm vendit”, ka thënë ai.

Ndërsa zëdhënësja e qeverisë në largim të Haradinajt, Donjeta Gashi e pyetur se pse nuk po lejohet qasje në faturat e shpenzimeve të tij dhe kabinetit të tij, ajo tha se: “Është proceduar, është çështje kohe deri sa të dalë”.

Haradinaj i pyetur nga KALLXO.com nëse do t’i jap faturat e shpenzimeve të zyrës së tij dhe të kohës së Isa Mustafës, e konfirmoi se faturat do të jepen.

Kujtojmë se mbledhja e fundit e Qeverisë ishte mbajtur më 26 korrik, një javë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

 

Dorëheqja mes lotësh e Ramush Haradinajt

.