Kuvendi i Kosovës | Foto: KALLXO.com

Seanca Ideale për Nesër

Deputetët e rinj të cilët për herë të parë do të ulen në Kuvend do kenë mundësinë ta marrin vetëm një vendim ndërsa duhet të ndjekin disa procedura të cilat parashihen për seancën konstitutive.

Sipas rendit të ditës të gjithë deputetët që dëshirojnë të jenë në seancë duhet të paraqiten para orës 10:00 në ambientet e Kuvendit.

Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00 ndërsa puna e parë për legjislaturën e re do jetë përzgjedhja e disa deputetëve të cilët verifikojnë se të gjithë ata që janë në sallë janë deputetë dhe është përmbushur kuorumi për të nisur seancën.

Në faqen e Kuvendit tashmë janë publikuar edhe 3 pikat e rendit të ditës për këtë seancë: së pari formohet komisioni i përkohshëm cili e verifikon kuorumin, së dyti jepet betimi i deputetëve me një tekst të standardizuar:

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane. Betohem!”.

Mbledhja konstituive  do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, në këtë rast Adem Mikullovci, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mikullovci, aktor me renome në vend, i cili ishte deputet në legjislaturën e vitit 1990 më 2 korrik kur delegatët e Kuvendit Krahinor të Kosovës deklaruan Kosovën Republikë në kuadër të Republikës Federative të Jugosllavisë në afërsi të ndërtesës së Kuvendit.

Në krah të Mikullovcit ditën e parë të punës për këtë mandat do jetë deputetja më e re e Kuvendit, Teuta Rugova nga LDK, vajza e liderit Ibrahim Rugova, i cili për një kohë të gjatë e dominoi skenën politike në Kosovë.

Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit kanë paraparë edhe momente kur deputeti më i vjetër për ndonjë arsye nuk paraqitet në seancë.

Sipas Rregullores në rast se deputeti më i vjetër mungon në seancë konstituive, ajo mund të udhëhiqet nga deputeti i dytë më i vjetër.

Pasi të përcaktohet se një numër i mjaftueshëm i deputetëve është në sallë dhe kryesuesi të ulet në karrigen e tij deputetët do vazhdojnë me propozimet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese propozimi për kreun e Kuvendit i takon koalicionit me më së shumti deputetë që në këtë legjislaturë është ai në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.