Seanca e Parë Për 2016, Me Apo Pa Lotsjellës?

Sot do të mbahet seanca e parë e sesionit të ri në Kuvendin e Kosovës.

Që nga 17 dhjetori kur kuvendit iu drejtua me fjalimin vjetor e para e vendit Atifete Jahjaga dhe kur u votua bordi i Agjensionit Kosovar të Privatizimit, më nuk pati asnjë seancë, qoftë plenare apo solemne.

Të premten është caktuar data për mbajtjen e seancës plenare të përbërë prej 22 pikave.

Në këtë seancë mes tjerash pritet të bëhet ratifikimi i marrëveshjes për hua mes qeverisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në lidhje me hekurudhën, votimi i marrëveshjes për hua me Gjermaninë dhe votimi i marrëveshjes për kredinë rreth kardiologjisë mes Kosovës dhe Unicredit Bank Austria.

http://kallxo.com/banka-evropiane-kredi-42-milioneshe-per-hekurudhen/

http://kallxo.com/7-5-milione-nga-gjermania-per-energji-eficiente-ne-komuna/

Ndërkohë, opozita  është deklaruar kundër mbajtjes së kësaj seance.

Deputetja e “Vetëvendosjes” Aida Dërguti tha se të gjitha seancat e sesionit vjeshtor të Kuvendit ishin jonormale.

“Kemi pasur tërë sesionin vjeshtor me seanca jonormale, mos të pretendojmë se jemi kthyer në normalitet,” tha Dërguti.

E kryeparlamentari Kadri Veseli tha për të premten pret “pamje të bukura nga seanca”.

“Të premten presim mirëkuptim. Jo skena çfarë kanë qenë. Kemi opozitë të fortë por në të njëjtën kohë nuk duhet të jetë shkatërruese,” tha Veseli.

Por i pari i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka pritshmëri tjera nga kryetari Veseli.

“Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë normalitet institucional e as vendime nga kjo qeveri antikushtetuese”, tha Ymeri.

E për analistin Behlul Beqaj i ka humbur kuptimi  vendimmarrjes normale për shkak se janë thelluar hasmëritë politike pa prezencën e opozitës, pavarësisht se sa e madhe në numra është ajo.

“S’ka vendimmarrje demokratike nëse vendimet merren vetëm nga një anë, duke anashkaluar dhe duke mos kuptuar pse ana tjetër nuk po merr pjesë në politik bërje”, tha Beqaj.

Madje ai parasheh edhe tensione.

“Do të thellohen hasmëritë dhe në një moment të vlimit me siguri se do të shpërthen në një konflikt të përmasave të cilat nuk mund t’i prognozoj tash, por gjithsesi epilogu do të jetë me pasoja të rënda para së gjithash ata të cilët janë aktorë të konfuzioneve dhe të konflikteve politike, të cilat se natyrisht se momenteve të caktuara do të barten në mesin e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Vitin e kaluar kuvendi i Kosovës në seancat e mbajtura plenare ka votuar edhe buxhetin për vitin 2016, por këtë e ka bërë në sallën alternative, natyrisht pa praninë e opozitës.

Rrjedhimisht nuk ka pasur asnjë plenare që është zhvilluar në kushte normale dhe me diskutim të deputetëve pozitë-opozitë.

Që nga shtatori i vitit 2015 kur ka nisur bllokimi i kuvendit, veç seancave në shumë raste kanë dështuar të mbahen edhe komisionet për mungesë kuorumi.

Deputetët e opozitës nuk marrin pjesë në asnjë komision parlamentar.