Saranda Bogujevci: Thaçi sillet sikur ne i kemi borxh Serbisë

Nga foltorja e protestës së sotme të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Presidentit Hashim Thaçi, deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, tha se Thaçi po sillet sikur Kosova i ka borxh Serbisë.

“Nuk duhet të lejojmë që një njeri të vendosë për të ardhmen e këtij vendi, një njeri të vendosë vulën e harresës mbi sakrificën e këtij vendi’, tha Bogujevci para mijëra protestuesve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“Ky njeri e ka dëshmuar se punon vetëm për interesat e tij”, shtoi ajo.

Bogujevci, e cila është e mbijetuar e një masakre të vitit 1999 në Podujevë, foli edhe më tej për idenë e Presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Serbia ka marrë shumë nga ky vend në njerëz, në pasuri, në shpresë, në kulturë dhe për mua është shumë dhimbshme se si Presidenti Thaçi sillet sikur ne i kemi borxh Serbisë”, tha ajo.

“Duhet të ecim përpara por jo me kompromise. Ky njeri duhet të shkojë sepse deri më tani asnjëherë nuk e ka dëshmuar se e do vendin e vet dhe popullin e vet por ka dëshmuar se e do veten dhe pushtetin”, tha Saranda Bogujevci.