Bogujevci: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, pothuajse në pjesën përfundimtare të procesit

Grupi Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës ka zhvilluar sot takimin e radhës, në të cilin është diskutuar dhe janë adresuar përfundimet e dhëna nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës, në raportin e tyre mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka thënë se në këtë raport theksohet se Kosova plotëson standardet e Këshillit të Europës dhe se ajo në shumë çështje tejkalon edhe standarde ndërkombëtare.

“Raporti përfundimtar i juristeve eminent, i cili tashmë është publikuar dhe i cili ka për qëllim që të trajtojë nëse sistemi ligjor i Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës e konfirmoi një gjë të tillë. Duke theksuar që përveç së Kosova plotëson standardet e Këshillit të Evropës ajo në shumë çështje tejkalon edhe standarde ndërkombëtare. Kjo është fitorja e tretë përgjatë këtij procesi të anëtarësimit, fitore e cila tregon që nuk ka as një arsye për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës apo për ta vonuar këtë anëtarësim”- deklaron Ahmeti.

Kurse, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci tha se janë pothuajse në pjesën përfundimtare të procesit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

“Brenda një kohe të shkurtër kemi arritë shumë suksese në këtë drejtim. Jemi thuajse në pjesën përfundimtare të procesit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës”- tha Bogujevci.

“Si vend mendoj qe kemi dëshmuar goxha mirë, duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet që i kemi në fuqi, qëndrojmë shumë më mirë se edhe plotë vende anëtare në Këshillin e Evropës. Kjo jo vetëm në dëshminë e juristëve eminentë, por në pikat e ndryshme edhe gjatë diskutimeve që bëhen në Asamble Parlamentare. Ka mbetur vetëm pjesë përfundimtare, kemi ende shumë punë për të bërë”- ka shtuar ajo.

Këshilltarja e Jashtme e MPJD-së Adelina Hasani, teksa prezantoi raportin e ekspertëve eminentë, tha se në këtë raport thuhet se mos njohja e Kosovës nga disa shteteve nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill.

Në prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Europës në një mbledhje të jashtëzakonshme mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Këshilli i Europës i themeluar më 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli i Europës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.