Abazi vendos nëpër Kuvend fletushka me mbishkrimin 'Kush e lëshoi Radoiçiqin nga rrethimi'

Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po deklarohej për dialogun Kosovë -Serbi, deputeti Haki Abazi ka vendosur disa fletushka nëpër Kuvendin e Kosovës.

“Kush e lëshoi Radoiçiqin nga rrethimi”- shkruan në fletat që ai i ka vendosur në foltoren e Kuvendit dhe në murin te ulëset e kabinetit qeveritar.

Fletushka me këtë mbishkrim dhe disa tjera me fotografinë e Kurtit, Abazi i ka hedhur edhe në dysheme.

Ky veprim i Abazit ka nxitur reagimin e nënkryetares së Kuvendit nga LVV, Saranda Bogujevci e cila i ka hequr mbishkrimet e vendosura në mur.

Abazi për tri herë radhazi i ka vendosur të njëjta, dhe Bogujevci po ashtu për tri herë është ngritur nga ulësja për t`i hequr të njëjtat.

Ndërsa, mbishkrimin e vendosur në foltore e ka hequr deputetja e LVV-së, Tinka Kurti.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare ku në rend të ditës është raportimi i kryeministrit Kurti për procesin e dialogut Kosovë – Serbi pas zhvillimeve të javës së kaluar.

Kërkesat për raportim të Kurtit ka ardhur nga partitë opozitare.