Rruga "Gjergj Fishta" në Mitrovicë në hall nga uji i pijes

Si pasojë e dëmtimit të një gypi të ujësjellësit në rrugën “Gjergj Fishta”, tek Ura e Gjakut në Mitrovicë, uji i pijes rrjedhë vazhdimisht në këtë rrugë.

Sipas banorëve të cilët kanë raportuar në redaksinë e KALLXO.com, gjendja e kësaj rruge është e njejtë prej vitit të kaluar.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Mitrovicës, Naser Muja, i cili thotë se për këtë problem i janë drejtuar me shkrim Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës.

“Jemi të informuar për këtë rast. I kemi dërguar kërkesë me shkrim Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë për të intervenuar në këtë rrugë. Na kanë thënë që do të intervenojnë por nuk kam informata nëse e kanë rregulluar apo jo”, tha Muja për KALLXO.com.

Në këtë lagje shihet edhe gjendja e keqe e rrugës e cila sipas drejtorit Muja është dëmtuar për shkak të problemit me ujin.

“Rruga është dëmtuar më shumë prej ujësjellësit pasi kanë zhvilluar punime në disa vende për shkak se rrjeti është shumë i vjetër”, shprehet Muja.

Ai thotë të ketë propozuar që të vendosen gypa të ri, në mënyrë që komuna pastaj të intervenoj në rregullimin e gropave, pasi sipas Mujës pa përfunduar punën ujësjellësi komuna nuk mund të sanoj gropat.

Ndërsa Sami Miftari, Drejtor i Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë tha për KALLXO.com se sanimi i gypit në këtë lagje është bërë edhe më herët.

“Gypi është i gjatë rreth 186 metra. E kemi sanuar vazhdimisht disa herët por për shkak të vjetërsisë është dëmtuar përsëri”, tha Miftari për KALLXO.com.

Ai shtoi se të hënën do të fillojnë punimet për ndërrimin e këtij gypi.

“Kemi marrë vendim që të hënën të ndërrohet i gjithë gypi në këtë rrugë”, tha Miftari për KALLXO.com.