Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi - Foto: Facebook
Rrethimi i Varrezave Punësoi 97 të Rinj
97 të rinj janë punësuar në kuadër të projektit “Rrethimi i varrezave” në fshatin Dubravë të Ferizajt.
Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, 69 nga të rinjtë e punësuar ishin të regjistruar si punëkërkues në këtë Ministri.
Sipas një komunikate të Ministrisë, ministri Arban Abrashi ka përshëndetur bashkëpunimin mes BE-së, MPMS-së dhe Komunës së Ferizajt në këtë projekt, i cili ka përfunduar me kohë.
“Ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes BE-së, MPMS-së dhe Komunës së Ferizajt, do të jetë model edhe për komunat tjera se si bëhen punët e mira”, citohet të ketë thënë ministri Abrashi.
I pranishëm në këtë përurim ka qenë edhe përfaqësuesi i BE-së, Christof Stock, i cili citohet të ketë thënë se ana më e mirë e këtij projekti është punësimi i të rinjve.
“Ai ka përshëndetur partnerët e implementimit të projektit, duke potencuar se një pjesë e tij është financuar edhe nga Komuna e Ferizajt, ndërsa përzgjedhja e punëtorëve është bërë në bashkëpunim me MPMS-në”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sipas komunikatës, Stock ka porositur përfituesit e këtij projekti që të përkujdesen për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave, të cilat tani e tutje do të jenë në shërbim të komunitetit.
Ndërkaq kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, tha se përkundër vështirësive buxhetore, Komuna ka bërë të mundur që komunitetet mos të anashkalohen.
Shuma e përgjithshme e projektit është 74.889 euro. Komuna e Ferizajt ka kontribuar me 25 mijë euro.
Ky projekt ndërlidhet me projektin e BE-së “Kosova e Bukur”, i cili do të jetë i tëri në funksion të komunitetit.