Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Lajçak paralajmëron takim tjetër Bislimi – Petkoviq për çështjen e dinarit

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se këtë javë do të ketë një tjetër takim i kryenegociatorëve Bislimi – Petkoviq, për çështjen e dinarit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lajçak ka thënë se në takimin e fundit të dyja palët kanë pasur mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre.

Ai ka thënë se në takimin e kësaj jave shpreson të kapërcehet diferenca e mbetur në takimin e fundit.

“Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund konkluduam se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë diferencën e mbetur të enjten” – ka shkruar ndër të tjera Miroslav Lajçak.

Në anën tjetër, Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, me 25.03.2024 kishte thënë se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë. Ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”- tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Kosova ka paraqitur dy propozime, por nuk dëshiroi që të shpalosë detaje.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 05.03.2024, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.