Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Garancitë e BE-së do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

Iniciativa e Garancive për Qëndrueshmërinë e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme e financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor do të mbështet rreth 9 mijë e 500 vende pune në Kosovë.

Siç njofton Zyra e BE-së në Prishtinë, gjithsej 37 milionë euro është vlera e kredive të cilat do t’i shpërndajë ky instrument për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.

“Këto burime financiare synojnë të rrisin qasjen në financa te bizneset e vogla dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj vështirësive të vazhdueshme ekonomike, duke krijuar njëkohësisht kushte për zgjerimin e biznesit, punësimin dhe inovacionin. Në Kosovë, ky instrument pritet të shpërndajë kredi me një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, të disponueshme me kushte të favorshme kreditimi për rreth 690 NVM-të, duke mbështetur rreth 9 500 vende pune” – thuhet në komunikatën e Zyrës së BE-së.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se falë kësaj nisme ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë do të jenë në gjendje të rrisin mundësitë e tyre të financimit dhe të marrin kredi me kushte të favorshme.

Fondi Evropian i Investimeve (FEI), pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), ka nënshkruar marrëveshje garancie të portofolit me 11 banka dhe ndërmjetës financiarë në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në vlerë 750 milionë euro.

Që nga viti 2022 Fondi Evropian i Investimeve ka zhbllokuar rreth 190 milionë euro në Kosovë për afro 3 mijë ndërmarrje të vogla dhe të  mesme të cilat ndihmuan në ruajtjen e 31 mijë vendeve të punës.