Ilustrim...

Revista serbe kërkon hetim për veturën e djegur të gazetarëve në veri të Kosovës

Revista javore serbe “Vreme” i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës të hetojë një zjarr misterioz që shpërtheu në makinën e gazetarëve gjatë udhëtimit të tyre në Kosovën e veriut. 

Revista javore serbe “Vreme” i ka bërë thirrje drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, të hetojë zjarrin që shpërtheu në automjetin në të cilin ishin tre gazetarë të saj dhe një gazetar i faqes në gjuhën franceze “Le Courrier des Balkans” më 4 janar.

Makina u kaplua nga zjarri më 4 janar pranë kalimit kufitar të Jarinjes. Të katër gazetarët shpejt lanë makinën.

Në letrën e hapur ka ankesa se Policia e Kosovës nga Leposaviqi mori vetëm deklarata nga gazetarët, dhe arriti në përfundimin se makina mori flakë spontanisht dhe refuzoi të shqyrtojë pamjet e sigurisë nga parkingu ku ishte parkuar.

“Edhe pse nuk pretendojmë të dimë shkakun e zjarrit … ne e konsiderojmë këtë akt të Policisë së Leposaviqit të papranueshëm dhe të rrezikshëm, veçanërisht tani kur punonjësit e medias janë të ekspozuar ndaj presioneve të forta, frikësimit dhe formave të ndryshme të dhunës”, thuhet në letër.

Sipas javores serbe “Vreme”, gazetarët po vizitonin qytetin e ndarë verior të Mitrovicës për të intervistuar Tatjana Lazareviq, kryeredaktore e “KoSSev.info” në Kosovë.

Ata e parkuan veturën në hotelin “North City”, i cili ka kamerat e sigurisë, natën ndërmjet 3 dhe 4 janarit.

Në letrën drejtuar Policisë së Kosovës, “Vreme” u kërkoi atyre të shqyrtonin kamerat e sigurisë në parkingun e hotelit dhe në rrugën “Mbreti Petar” në Mitrovicë, ku ndodhen zyrat e KoSSev.

Revista gjithashtu kërkoi një ekzaminim mjeko-ligjor për të përcaktuar shkakun e zjarrit.

“Kjo është mënyra e vetme për të përcaktuar se pse automjeti që mbante ekipin e “Vreme” u kaplua nga zjarr dhe presim që të urdhëroni një hetim të shpejtë, efikas dhe të plotë”, përfundon letra.