Bujar Bukoshi me avokatin e tij, Besnik Berisha. Foto: Arkiv

Rasti i Bukoshit e Tolajt Kthehet në Rivendosje

Gati tre vjet e gjysmë pasi ishte vendosur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, rasti ndaj Bujar Bukoshit, Ilir Tolajt, Arbenita Pajazitit dhe Hajrullah Fejzës, është kthyer në pikën fillestare.

Lajmin për kthimin e këtij rasti në rivendosje për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar konfirmojmë se kjo lëndë është kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit”, thuhet në përgjigjen e Gashit për KALLXO.com.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com i ka dërguar pyetje Gjykatës së Apelit, por nuk ka pranuar përgjigje.

E avokati i Bujar Bukoshit, Besnik Berisha, ka thënë për KALLXO.com se ende nuk ka pranuar ndonjë vendim nga Gjykata e Apelit.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi akuzohej për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës për 12 pika të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimeve, një pikë për dhënie të ryshfetit, një për shmangie nga tatimi si dhe për pengim të të provuarit.

Tolaj u gjet fajtor vetëm për dy pika të aktakuzës dhe atë për pikën 1.3 që është shpërdorimi i detyrës zyrtare ose autorizimit të cilën Gjykata e ndryshoi në nxitje në falsifikim të dokumenteve, për të cilën pikë u shpall fajtore edhe Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Rajmonda Hyseni që të nënshkruajë dokumentet se kinse ajo ka marrë pjesë në vlerësimin e dy tenderëve emergjentë. Në fakt ajo nuk kishte marrë pjesë fare në këtë vlerësim.

Arbenita Pajaziti për këtë vepër u dënua me 6 muaj burgim me kusht. Ndërsa Ilir Tolaj për të njëjtën vepër u dënua me 10 muaj burg.

Tolaj më tutje u gjet fajtor nga Gjykata për shmangien nga tatimi, vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burg. Për këtë ai u dënua me 9 muaj burgim.

Ilir Tolajt Gjykata i dha një dënim unik prej 18 muajsh burgim si dhe e dënoi me gjobë prej 1 mijë eurosh. Tolajt iu ndalua ushtrimi i funksionit publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Arbenita Pajaziti është dënuar për pikën 1.6 të aktakuzës me 6 muaj burgim me kusht. Gjykata i shqiptoi asaj dënimin unik prej 8 muajsh me kusht duke mbikëqyrur dënimin për dy vjet. Pajaziti nuk do të mund të ushtrojë funksion publik për 2 vjet.

Kjo pikë e aktakuzës e ngarkonte Pajazitin se ajo i kishte thënë komisionit për pranimin e mallrave që të nënshkruajnë një deklaratë të falsifikuar të pranimit të medikamenteve nga furnizuesit të cilët nuk kanë mundur ta furnizojnë MSh-në deri pas datës 21 dhjetor.

Hajrullah Fejza nga Gjykata u dënua dy herë nga 6 muaj burg për dy vepra të kërkimit të ryshfetit. Ai mori një dënim unik prej 8 muajsh burg si dhe iu ndalua ushtrimi i funksionit publik për 3 vjet. Fejza nga viti 2010 kryente detyrën e shefit të Divizionit për Shërbime Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.

Fejza akuzohej nga prokuroria se në fillim të vitit 2011 i kishte kërkuar Milaim Avdullahut shumën prej 10 % nëse donte të merrte tenderin. Njëjtë Fejza kishte vepruar edhe me Fadil Lubeniqin.

Milaim Avdullahu dhe Fadil Lubeniqi, njëri pronar i kompanisë farmaceutike “Sante Pharm” dhe tjetri i asaj “Pro Pharm Helvetica” ishin palë të dëmtuara në rastin “Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët”.

Ilir Tolajn Gjykata e liroi nga arresti shtëpiak. Po ashtu, atij dhe Arbenita Pajazitit Gjykata ua liroi edhe llogaritë bankare që më parë i kishin të bllokuara.

http://kallxo.com/bujar-bukoshi-e-ilir-tolaj-perseri-ne-gjykate/

Tolaj Dënohet Me 18 Muaj Burg (TV)

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.