Qeveria ndan paratë për kompensimin e orëve shtesë të policisë

Qeveria e Kosovës ne mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 2.6 milionë euro për kompensimin e orëve shtesë të zyrtarëve policorë.

“Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme që zyrtarët policor te kompensohen me pagesë shtesë për orët shtesë. Kjo kap vlerën 2.6 milionë euro. Mjetet financiare ndahen nga ministria e Financave. Kjo është më se e nevojshme, që shteti mos me i mbet borxh policit të vet. Një shtet që s’mund ta paguajë policin e vet, ma mirë le ta mbyllë gojën. Ne e dimë që kjo është shumë e madhe, mirëpo është e nevojshme” tha Haradinaj.

Qeveria e Kosovës miratoi propozim-vendimin për kompensimin e orëve shtesë për Policinë e Kosovës.

Me propozim të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin LLuka, kabineti qeveritar miratoi edhe propozim vendimet për caktimin e kompensimit të anëtarëve të bordit të ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës dhe për kompensimin e anëtarëve të Bordit mbikëqyrës të Trepçës.

Qeveria e Kosovës e miratoi propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të vitit 2018 të Qeverisë së Kosovës. Gjithashtu Qeveria miratoi edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve politike.