Mbledhja e Qeverise, Foto: Facebook

Qeveria miraton koncept dokumentin për parandalimin e krimit kibernetik

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar koncept dokumenti i cili parasheh ndalimin dhe luftimin e krimit kibernetik.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’, ka shkruar se koncept dokumenti për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik kontribuon në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë e paraparë në strategjinë shtetërore për sigurinë kibernetike dhe planin e veprimit 2016 – 2019.

“Ky ligj ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë me masa konkrete, parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve përmes sistemeve kompjuterike, duke ofruar respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, ka shkruar ministri Gashi.

Sipas Gashit, ky koncept dokument ofron shpjegime rreth nevojës për plotësim ndryshimin e ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë përkatësisht draftimin e ligjit për siguri kibernetike.

“Problemi kryesor i ligjit aktual është se nuk ka gjetur zbatim andaj përmes draftimit të ligjit për siguri kibernetike synohet që të inkorporohet legjislacioni i BE-së, dhe njëkohësisht të ofrohet një bazë e mirë ligjore për mekanizmat e sigurisë në Republikën e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetike. Në draftimin e këtij koncept dokumenti përveç institucioneve vendore kanë marrë pjesë edhe ICITAP, OSBE, etj., ndërsa për draftimin e ligjit për siguri kibernetike është ofruar mbështetja edhe nga Këshilli Europës”, ka shkruar tutje Gashi.

Tutje sipas ministrit, më 12 Gusht 2013 është aprovuar “Direktiva e BE-së 2013/40 për mbrojtjen e sistemëve të informacionit”. Në vitin 2012 Komiteti i Konventës së Budapestit për Krimet Kibernetike kishte aprovuar “Shënimet Udhëzuese” që përshkruajnë në mënyrë më të qartë format kryesore të krimit kibernetikë dhe njëkohësisht në kuadër të konventës është nxjerrë protokolli shtesë i Konventës për Krimet Kibernetikë që trajton penalizimin e veprimeve raciste dhe ksenofobike të kryera përmes sistemeve kompjuterike.