Prokurorja: Kqirajt dhe të Tjerët u Morën me Fajde
Në gjykimin e 14 të akuzuarve për krim të organizuar, fajde e vepra të tjera të rënda penale, asnjëri nga të akuzuarit nuk e pranoi fajësinë, me përjashtim të Kastriot, Gjon dhe Marian Kqirajt, të cilët pranuan fajësinë vetëm për veprën – armëmbajtje pa leje.
Në këtë seancë, trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e avokatit Ramë Dreshaj për të larguar mediat nga salla.
Prokurorja speciale Merita Binaj-Rugova tha se rezultatet e ekspertizës financiare tregojnë se të akuzuarit vetëm një përqindje të vogël të pasurisë e kanë fituar nga bizneset e tyre të ligjshme.
Pjesa tjetër, sipas saj, është fituar me fajde dhe veprime të tjera të kundërligjshme.
Po ashtu, prokurorja në fjalën hyrëse i propozoi Gjykatës që në fund të shqyrtimit gjyqësor me rastin e marrjes së aktgjykimit të bëhet edhe konfiskimi i pasurisë së të akuzuarve.
“Kanë vepruar si grup i organizuar kriminal i përbërë kryesisht nga anëtarët e familjes Kqiraj, çka vërtetohet me faktin se të gjitha veprimet e kryera kanë qenë të ndërlidhura dhe të koordinuara. Është vërtetuar po ashtu se ky grup ka vepruar në mënyrë të organizuar ndërsa veprimet e tyre i ka drejtuar i akuzuari Tunë Kqiraj”, tha prokurorja.
Përfaqësuesit e familjes së dëmtuar, avokatët Arianit Koci dhe Granit Vokshi, kërkuan nga Gjykata që të dëmtuarit të dëgjohen përmes video-linkut e jo në prezencën e të akuzuarve, për shkak të, siç thanë ata, shantazheve dhe kërcënimeve ndaj të dëmtuarve.
Këtë propozim e mbështeti prokurorja, ndërsa e kundërshtuan të gjithë avokatët mbrojtës me arsyetimin se kjo kërkesë nuk ka bazë ligjore.
Lidhur me këtë propozim trupi gjykues do të vendosë në seancën e ardhshme.
Ndërsa, në fjalën hyrëse, avokati i Tunë Kqirajt, Azem Vllasi, kundërshtoi në tërësi aktakuzën.
Të njëjtën gjë e bënë edhe mbrojtësit dhe të akuzuarit tjerë.
“Pretendimi i prokurorisë nga aktakuza se Tunë Kqiraj vazhdimisht i ka mbikëqyrur, i ka drejtuar veprimet e këtij grupi, lidhje s’kanë me këtë rast”, tha Vllasi.
Seanca e radhës do të vazhdojë të enjten.
Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.
Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.
Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.
Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.
KALLXO.com ka raportuar edhe nga seanca e kaluar e këtij procesi.
http://kallxo.com/mbrojtja-kundershton-aktakuzen-ndaj-tune-kqires-dhe-te-tjereve/
Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër këtij grupi.
http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-14-personave-per-krim-te-organizuar-dhe-fajde/
Ndërsa, në rubrikën “Policia”të emisionit “Drejtësia në Kosovë“ janë transmetuar pamjet nga operacioni policor për konfiskimin e pasurive të familjes Kqira.
http://kallxo.com/aksioni-policor-ne-familjen-e-dyshuar-per-fajde-video/