Prokurori: Zeqirja Qazimi Pati Sukses

Në fjalën e tij prokurori Elez Blakaj tha se gjatë gjykimit prokuroria ka arritur ta argumentojë fajësinë e atyre që janë deklaruar të pafajshëm.

“Prokuroria ka arritur të argumentojë se në veprimet e të pandehurve plotësohen veprat penale te rekrutimit, nxitjes së urrejtjes, pjesëmarrjes në grup terrorist. Lidhur me të pandehurit që nuk e kanë pranuar fajësinë prokuroria është e bindur se ka arritur ta argumentojë fajësinë e tyre, ndërsa lidhur me ata që e kanë pranuar fajësinë do t’u referohemi dispozitave për matjen e dënimit,” tha prokurori Blakaj.

Në këtë proces gjyqësor, imami i xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, Zeqirja Qazimi po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rekrutim për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes, ndërsa Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba për pjesëmarrje në grup terrorist.

Ilir Berisha, Liridon Kabashi e Burim Ballazhi gjatë gjykimit e kanë pranuar fajësinë.

Prokurori Blakaj më tutje gjatë fjalës së tij përfundimtare konstatoi se është argumentuar në tërësi fajësia e Zeqirja Qazimit për veprat me të cilat ngarkohet.

“Për Zeqirja Qazimin  jemi të bindur se provat fjalë për fjalë e kanë argumentuar atë që është shkruar në akuzë, sidomos prej dëshmitarërëve shihet se Zeiqrja Qazimi ka frymëzuar disa persona për të shkruar në Siri e ndër të cilët disa janë vrarë siç është Patriot Matoshi,” tha prokurori Blakaj.

Prokurori mori si shembull deklaratën e njërit nga të akuzuarit si dëshmi se Zeqirja Qazimi arriti të dërgojë disa persona në Siri.

“Deklarata e të pandehurit Ilir Berisha është shumë e qartë se në kuadër të dëshmisë së tij ai qartë përmend se këta persona janë frymëzuar nga ligjëratat e Zeqirja Qazimit,” tha prokurori.

Prokurori Blakaj e pranoi se imami Qazimi kishte sukses për rekrutimin në këtë luftë të huaj.

“Mjafton të shikohen emrat e atyre qe kanë shkuar në Siri për të konkluduar se Zeqirja Qazimi ka pasur sukses në rekrutim. Gjithashtu edhe i pandehuri tjetër që e ka pranuar fajësinë-Liridon Kabashi, ka thënë se ka pranuar para për bileta nga Zeqirja Qazimi,” tha prokurori.

Por Murat Demolli avokat i Zeqirja Qazimit kundërshtoi fjalën e prokurorit, duke thënë se ligjëratat e klientit të tij nuk ishte frymëzim për të shkuar në Siri.

“Në shqyrtimin gjyqësor dëshmitarët deklaruan se imami Qazimi nuk ka qenë frymëzues për djemtë e tyre, ata e thanë të vërtetën. “Nuk mund të quhet frymëzues i terrorizmit nëse ka thënë atë që ka lexuar. Liria e besimit është e garantuar dhe fakti që ka mjekër nuk e bën të dënueshme këtë,” tha avokati  Demolli.

Demolli deklaroi se dëshmitarët të vërtetën thanë ë gjykatë e jo në deklaratat në prokurori para se të niste ky proces gjyqësor.

“Deklaratat e tyre që dhanë në prokurori dhe hetuesi dëshmitarët nuk i mbështetën dhe prokurori, por thanë se e vërteta është ajo që e dhanë në gjykatë dhe se deklaratat në prokurori i dhanë duke qenë të trazuar për djemtë e tyre,” tha avokati.

Në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi për ndërrimin e dëshmisë së një dëshmitari në gjykimin e Zeqirja Qazimit dhe të tjerëve.

http://kallxo.com/deshmitari-ndryshon-deklaraten-e-tij-ne-gjykimin-e-zeqirja-qazimit/

Demolli i vlerësoi të dobishme ligjëratat e imamit Qazimi.

“Ligjëratat e Hoxhës kanë qenë të dobishme, ai në asnjë moment nuk i ka bërë thirrje dikujt për të shkuar në Siri, ndërsa ata që kanë shkuar këtë e kanë bërë falë bindjeve të tyre. I mbrojturi im ka ligjëruar parimet e fesë dhe nuk ka dalë nga dispozitat e fesë,” tha avokati.

Avokati Demolli kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të lirohen, sepse sipas tij po të ishin pjesëtarë të organizatave terroriste nuk do të dorëzoheshin.

“Kërkoj nga gjykata të sjellë aktgjykim lirues sepse me asnjë provë nuk është vërtetuar se këta të rinj janë kryes të veprave te cilat u vihen në barrë. Këta të rinj në mënyrë civile janë dorëzuar dhe janë sjellë gjatë gjithë procesit gjyqësor. Po të ishin pjesëtarë të grupeve terroriste ne e dimë se a dorëzohen ata,” tha avokati.