Kërcënimet ndaj policëve serb në veri, reagon shefi i EULEX-it dhe Ambasadori gjerman

Giovanni Pietro Barbano, shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, kanë reaguar pas raportimeve se janë kërcënuar serbët e punësuar në Policinë e Kosovës.

Çdo lloj frikësimi, sipas shefit të EULEX-it, ndaj policëve të sapopunësuar në policinë kosovare, është i papranueshëm.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë” – ka shkruar Giovanni Pietro Barbano në Twitter.

Me reagimin e shefit të EULEX-it është pajtuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjak, rom, serb dhe turk,  meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar” – ka thënë ambasadori gjerman.

45 policë të komunitetit serb kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Në rrjete sociale janë duke qarkulluar fotografi e emra të policëve të rinj nga komuniteti serb që janë bërë pjesë e institucionit kyç të sigurisë, Policisë së Kosovës.

Në rrjetin social Telegram ka nisur shënjestrimi ndaj disa prej pjesëtarëve të rinj të Policisë, duke thënë se ky veprim nga ana tyre nuk është i mirë pasi nga ky institucion po arrestohen qytetarët serbë.

Faqet serbe i vendosin si shënjestër qytetarët e komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës