Djegia e Gjykatës në Kaçanik. Foto: Gjykata Themelore në Ferizaj
Gjykata në Ferizaj deklarohet për dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme në degën e saj në Kaçanik
Për dy zyrat e Gjykatës Themelore – Dega në Kaçanik që u dogjën nga zjarri është deklaruar Gjykata e Ferizajt.
Zjarri dyshohet se ishte i qëllimshëm, e Policia e Kosovës po dyshon se tre persona kanë qenë të involvuar.
Gjykata Themelore në Ferizaj në një komunikatë për media ka thënë se më 13.03.2024, rreth orës 04:00 të mëngjesit, zjarri ka kapluar një pjesë të dy zyrave të katit të dytë të objektit.
Gjykata tha se ekipi i zjarrfikësve dhe Policia kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin.
“Janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe zjarri është shuar si dhe kanë zhvilluar procedurat dhe marrjen e provave. Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale por jo pasoja me njerëz”- njoftoi Gjykata.
Tutje u theksua se sipas të dhënave të organeve kompetente dyshohet për zjarrvënie nga persona të panjohur deri më tani.
Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha për KALLXO.com se nga hetimet e para dyshohet se tre persona të panjohur, i kanë vënë zjarrin objektit të gjykatës.
“Hetuesit policorë janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti”- tha Veseli për KALLXO.com.
Tutje i njëjti konfirmoi se zjarri është lokalizuar rreth orës 04:40 në mëngjes.
Në lidhje me rastin tashmë janë duke u marrë hetimet nën autorizimet e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme në objektin e Gjykatës në Kaçanik