Nga gjykimi i Fatmir Limajt | Foto: KALLXO.com

Prokurori Refuzoi Dëgjimin e Punëtorëve të Postës për SMS-të e Gjetur te Limaj

Ish-hetuesja kryesore e Rastit MTPT Marina Toivonen tha sot në gjykimin e Fatmir Limajt se prokurori Johannes Pickert kishte refuzuar dëgjimin e punonjësve të PTK-së për të verifikuar vërtetësinë e një dokumenti me disa SMS të transkriptuara.

Dëshmitarja tha se ishte propozuar që të intevistoheshin disa punëtorë të postës që e mirëmbajnë serverin, por ky propozim ishte refuzuar nga prokurori me arsyetimin se kjo gjë do t’i shkaktonte dëm të madh PTK-së.

Dëshmitarja tregoi për refuzimin e prokurorit, pasi u pyet nga Limaj se nëse si hetuese e rastit MTPT kishte kërkuar vërtetimin e dokumentit me SMS të transkriptuara.

Limaj e pyeti ish-hetuesen e tij nëse ajo e kishte parë origjinalin e dokumentit prej 4 faqesh me SMS-të e transkriptura.

Dëshmitarja Toivonen tha se nuk e ka pasur asnjëherë origjinalin, por vetëm dokumentin e përkthyer.

Dëshmitarja tregoi më tutje se përmbajtja e atij dokumenti nuk është gjetur ne një CD që është kërkuar nga posta.

KALLXO.com ka shkruar për dëshminë e Toivonen-it edhe sot, por edhe dje.

http://kallxo.com/ish-hetuesja-e-limajt-kam-pasur-qendrim-te-ndryshem-nga-prokurori/

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.