Ilustrimi: Trembelat

Fatmir Limaj: Vendimi i sotëm i Apelit është fitore e drejtësisë

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës kundrejt vendimit të Gjykatës së Prishtinës për lirimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve, të akuzuar në rastin e njohur si “MTPT”.

E këtë vendim Limaj e ka quajtur fitore e drejtësisë dhe shpresë për të gjithë njerëzit që nuk duhet të dorëzohen në kërkim të drejtësisë.

Ai ka shkruar së Gjykata e Apelit sot vulosi edhe njëherë pafajësinë e tij dhe të bashkëpunëtorëve në rastin MTPT.

“Sot është fundi i një persekutimi të pashembullt, i një rasti të orkestruar nga individë të cilët, në pamundësi për t’u ballafaquar me argumente e fakte, fabrikuan prova për të më përlyer mua dhe familjen time”, ka shkruar lideri i NISMA-së, Fatmir Limaj në rrjetin social ‘Facebook’.

“Që nga vitit 2003 jam përballur me procese gjyqësore, por asnjëherë nuk jam dorëzuar, i bindur që në çdo periudhë i kam shërbyer me devotshmëri vendit. Kam besuar në Zot dhe drejtësi dhe kam punuar fort që para qytetarëve të dëshmoj se i kemi shërbyer vendit me pastërti e dashuri dhe, siç e vërtetoi edhe vendimi i Gjykatës, në respekt të ligjit”, thuhet më tutje në njoftim.

Ai ka shtuar se drejtësia e pavarur e pandikuar, siguria juridike, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë angazhimi dhe përkushtimi i tij kryesor.

KALLXO.com ka raportuar sot se Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës kundrejt vendimit të Gjykatës së Prishtinës për lirimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve, të akuzuar në rastin e njohur si “MTPT”.

Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku, Florim Zuka akuzoheshin nga Prokuroria për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar,  shpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autorizimit, marrjes së ryshfetit, dhënies së ryshfetit, keqpërdorimi të autorizimeve në ekonomi si dhe  veprave të tjera penale në formë të mos deklarimit të parave të pranuara për fushatë, parashikuar me Rregulloren e Unmikut nr.2004/2 për pengimin e shpëlarjes së parave dhe veprave të ngjashme penale.

Pas tetë vjetësh procedurë gjyqësore Gjykata e Prishtinës me 24 nëntor 2017 kishte marrë aktgjykim me anë të të cilit të gjithë të akuzuarit duke përfshirë këtu ish ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limajn, i kishte liruar nga të gjitha pikat e akuzës.

Disa muaj pas vendimit për lirimin e të akuzuarve, i pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroi i EULEX-it Charles Hardaway me 22 mars 2018 kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

E kjo e fundit gjatë ditës së sotëm ka njoftuar se pas shyrtimit të ankesës së Prokurorisë ka marrë vendim për refuzimin e ankesës së Prokurorisë duke e vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Ky proces gjyqësor lidhej me disa rrugë të asfaltuara në Komunën e Gjilanit.

https://kallxo.com/gjykata-e-apelit-e-verteton-pafajesine-e-fatmir-limaj-dhe-te-tjereve/

www.kallxo.com