Gjykimi i hetuesit policor dhe stomatologut | Foto: KALLXO.com

Prokurori Mungon në Gjykimin e Hetuesit Policor për Narkotikë

Në seancën fillestare të gjykimit të hetuesit policor, Shemsedin Gecit, stomatologut Valon Mala dhe Adnan Gërxhaliut, ardhja e prokurorit Njazi Rexha u prit më shumë se dy orë, para se të shtyhej seanca.

Seanca ndaj këtyre tre personave që po akuzohen për bartjen dhe posedimin e narkotikëve ishte dashur të fillojë në orën 10:00, por nuk nisi as pas mesditës.

Gjyqtari Burim Ademi e priti për më shumë se dy orë prokurorin Njazi Rexha dhe kur ai nuk u paraqit as pas orës 12:00, e shtyu seancën më 20 shkurt.

Prokurori Rexha ishte i angazhuar në një seancë tjetër që mbahej në të njëjtën kohë.

Para se ta shtyjë seancën, gjyqtari Burim Ademi tha se nuk e di pse prokurori Rexha i ka dhënë përparësi gjykimit tjetër, kur sipas tij dhe sipas legjislacionit në fuqi përparësi kishte rasti i gjykimit të hetuesit dhe stomatologut, pasi tre të akuzuarit e këtij procesi ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

Në seancën e sotme Shemsedin Geci, Valon Mala e Adnan Gërxhaliu para gjyqtarit Burim Ademi duhej të deklaroheshin rreth akuzave me të cilat i ngarkon Prokuroria në Mitrovicë.

Kjo prokurori i ka vetëm dy prokurorë të krimeve të rënda, ndërsa gjyqtari Ademi tha se do ta njoftojë kryeprokurorin e Mitrovicës që seanca e caktuar më 20 shkurt të mos shtyhet.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar në lidhje me pretendimet e Prokurorisë në Mitrovicë se hetuesi ishte marrë vesh me stomatologun dhe të akuzuarit tjetër për të bartur drogë drejt këtij qyteti.

Dyshimet për Policin që Transportoi Drogë Drejt Mitrovicës